Flamurtari synon ta shlyejë serinë e zezë ndaj Ferizajt
Flamurtari i Prishtinës synon ta shlyejë serinë e zezë të rezultateve në IPKO Superligë.
KF Flamurtari, që ishte skuadra që befasoi në pesë xhirot e para, duke e kryesuar edhe renditjen në elitë, në ndeshjet e fundit është duke u përballur me një krizë rezultatesh. Në fakt, Flamurtari që shtatë ndeshje është pa fitore, kurse në dy ndeshjet e fundit ka pësuar humbje.
Kapiteni i Flamurtarit, Veton Kabashi, ka thënë të enjten për gazetë se kuqezinjtë në Ferizaj e synojnë të paktën një barazim. “Ferizaj ka një skuadër të mirë, por ne pas dy humbjeve synojmë të mos rikthehemi duarbosh nga kjo ndeshje. Për këtë ndeshje kemi dy mungesa të mëdha, Alban Shillovën dhe portierin Flamur Nezirin, por prapëseprapë synojmë rezultat pozitiv”, ka thënë Kabashi.
Për ndeshjen që zhvillohet sot foli edhe sulmuesi Dren Gashi. “Si në çdo ndeshje tjetër, edhe sfida kundër Flamurtarit është e rëndësishme për ne. Në këtë ndeshje mungojmë unë dhe Kristi Marku për shkak të kartonëve, por Ferizaj ka fond të mjaftueshëm për të dalë fitues në këtë ndeshje. Kundërshtari ka një ekip cilësor dhe shumë të papërshtatshëm, por ekipi ynë do ta japë maksimumin për t’i marrë pikët e plota”, ka deklaruar Gashi.
Krahas ndeshjes Ferizaj – Flamurtari, sot (e premte) zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Në Suharekë Ballkani e pret Lirinë, kurse KEK-u luan ndaj kampionëve të Dritës. Tri ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje zhvillohen nesër (e shtunë), ku që të tria vlerësohen si derbi: Trepça ’89 – Feronikeli, Gjilani – Prishtina dhe Drenica – Llapi.
IPKO Superliga
Të premten takohen:
Ferizaj – Flamurtari
Ballkani – Liria
KEK-u – Drita
Të shtunën takohen:
Trepça ’89 – Feronikeli
Gjilani – Prishtina
Drenica – Llapi
(Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:45)
/Veton ZYMBERI/