Flamurtari vazhdon serinë pozitive, mposhti Prishtinën
Flamurtari ka shënuar fitore ndaj Prishtinës me rezultat 64:57 (20:15, 11:14, 19:12, 14:16), në xhiron e pestë të Ligës Unike në konkurrencën e femrave, që është e fundit për stinorin vjeshtor.
Vendaset e filluan ndeshjen më mirë, ku në çerekun e parë ishin për një nuancë më të mira dhe e fituan këtë pjesë 20:15. Prishtinaset përgjigjen shpejt për të barazuar rezultatin dhe gjatë gjithë kësaj pjese zhvillohet një lojë e barabartë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 31:29.
Basketbollistet e Flamurtarit ishin më të mira në periodën e tretë, duke arritur epërsi prej dhjetë pikësh, 43:33, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 50:41. Në dhjetë minutat e fundit, skuadra vlonjate ruajti epërsinë e krijuar për të triumfuar në fund me shifrat 64:57.
Obryan Michelle ishte më e dalluara te Flamurtari me 16 pikë, dhjetë kërcime dhe dhjetë asistime, kurse te Prishtina, Arbnore Përquku shënoi 15 pikë, ndërsa Sarah Mgbeike realizoi 14.
Flamurtari e përfundoi stinorin vjeshtor me katër fitore dhe një humbje, ndërsa Prishtina me tri fitore dhe dy humbje.