Flasin nga emergjenca për katër të plagosurit në Lupç të Podujevës, dy në gjendje të rëndë
Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri sot në fshatin Lupç të Podujevës, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime pasi është therur me thikë. Sinjali raportoi ekskluzivisht pak më parë se në konflikt dyshohet se janë përfshirë disa anëtarë të familjes Hoxha dhe të familjes Menxhiqi.
Tani, mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Agron Çitaku, ka thënë se dy nga të plagosurit në Lupç janë në gjendje pak më të rëndë ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të lehtë.
“Diku në orën 16:10 kanë mbërri katër raste me lëndime të shkaktuara nga armët e zjarrit. Trajtimi i tyre ka zgjatur deri tani. Prej tyre, dy janë në gjendje pak më të rëndë, dhe dy janë në gjendje më të lehtë”, tha Çitaku para gazetarëve.
Ndryshe, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, tre personat e plagosur me armë zjarri janë Ferat Hoxha, Arjanit Hoxha dhe Sejdi Hoxha, ndërsa të lënduar dyshohet se kanë mbetur edhe nga pala tjetër, Ferit Menxhiqi dhe Berat Mexhiqi.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë).
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”.