Flasin nga Zyra e Presidentes: Osmani nuk e takoi Lajçakun për shkak të agjendës
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka refuzuar një takim me ndërmjetësin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Pragës, Lajçak kishte kërkuar një takim me Osmanin, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit referuar situatës së krijuar me mbylljen nga autoritetet kosovare të objekteve ilegale paralele serbe në veri dhe për çështjen e urës së Ibrit.
Por, nga presidenca thonë se ky takim ka qenë i pamundur të realizohet për shkak të agjendës së ngjeshur të Presidentes Osmani.
“Për shkak të agjendës së ngjeshur të Presidentes gjatë vizitës njëditore në Prage, ka qenë e pamunudur të realizohet takimi këtë herë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës për GazetaBlic.
Presidentja Osmani shpesh ka kritikuar qasjen e ndërmjetësit evropian në kuadër të dialogut.
Edhe në këtë forum, ajo tha se palët nuk po trajtohen barabartë sepse ‘tavolina e dialogut është e përmbysur’ dhe Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura.
Vet Lajçak njoftoi se kishte disa takime në margjinat e këtij forumi në Pragë, përfshirë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Po në këtë njoftim, Lajçak bëri të ditur do të udhëtojë së shpejti në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel.