Flasin prindërit e nxënësve të vrarë në Gllogjan, tregojnë gjendjen e tyre pas arrestimeve
Prindërit e nxënësve të vrarë në Gllogjan kanë folur pas arrestimit të tre personave si të dyshuar për vrasjen e trefishtë më 26 nëntor.
Babi i Gentë Mustafaj, ka deklaruar për T7 se tani ndihet më i qetë nga këto arrestime të Policisë së Kosovës.
“Unë si prind i Gentës, prej pram jam tu e ni nifar lehtësimi, i falenderoj organet e shtetit që janë duke e zbardhur këtë rast, po presim me u zbardh ky rast”, ka deklaruar babai i nxënëses së vrarë, Florim Mustafaj.
Ai ka thënë se pret sa më shpejtë të zbardhet edhe i gjithë rasti.
“Kam qef sa ma shpejtë, me na i qel edhe neve zemrat, le t’merret drejtësia, atyne ju kena lanë”, ka shtuar Mustafaj.
Njësoj si Mustafaj po ndjehet edhe Beqë Hamzaj, babai i Ledion Hamzajt, një ditë pas arrestimit të tre personave.
“Tash si prind jam ma i qetë, se shteti i Kosovës është ka merret me këtë çështje, unë jam pak ma i qetë edhe do të qëndrojë deri në fund kështu”, ka deklaruar babai i nxënësit të vrarë, Beqë Hamzaj.
Hamzaj ndjehet i kënaqur nga puna e deri tashme e organeve të sigurisë në vend.
“Deri qetash çka ka punu shteti i Kosovës jam i kënaqur”, ka shtuar Hamzaj.
Gjykata Themelore në Pejë u ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tre të dyshuarve që u arrestuan të shtunën në lidhje me këtë rast.
GazetaDemos gjatë ditës ka raportuar edhe për reagimin e familjarit të të arrestuarve, i cili ka mohuar se familja e tij kanë qenë të përfshirë në këtë rast.