Flet Albin Kurti: S’kam informacion zyrtar nga KQZ-ja, do t’i prijë listës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka komentuar vendimin e fundit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në të cilin është thënë se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin në mesin e të cilëve është edhe vetë Kurti.
Ai ka thënë se nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe se do t’i prijë listës së Vetëvendosjes për deputetë.
“Unë nuk jam në dijeni për kurrfarë vendimi të tillë të KQZ-së. Nuk kemi marrë ndonjë shkresë, as unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as Kryesia. Por, ajo çka po vërej në Kosovë është një entuziazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe këtu mërgata gjithsesi prin, por edhe populli në Kosovë. Besoj që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”, ka thënë ai për “RTV Dukagjini”.
Më tutje, Kurti ka thënë se institucionet e vendit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit dhe jo t’i vihen përballë atij.
“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, ka deklaruar Kurti.