
Flet bashkëshortja e Jakup Krasniqit: Aksioni ka filluar në orën 5:30
04 nëntor 2020
| 12:33
Sevdije Krasniqi, bashkëshortja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se nuk ka informacione se përse është duke u kryer operacion në shtëpinë e tyre.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.
Sipas Sevdije Krasniqit, operacioni ka filluar në orën 5:30.
“Nuk na kanë ofruar kurrfarë dokumenti. Kështu që, nuk e dimë se cili është qëllimi ose arsyeja e ardhjes në shtëpinë tonë”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa e pyetur se a është në dijeni nëse do të arrestohet Krasniqi, i cili gjendet në shtëpinë e tij, ajo tha se ende nuk di asgjë dhe nuk e di arsyen e bastisjes.