Flet deputetja Grainca: Në PDK nuk kisha përkrahje, akuzat se kalova në VV për përfitime financiare janë shpifje

05 prill 2021 | 21:56

Deputetja Adelian Grainca është deklaruar për vendimin e saj të së dielës për ta lanë Partinë Demokratike të Kosovë që të bashkohej me Lëvizjen Vetëvendosje në ditën kur po votohej për Presidentin e Kosovës.

Ajo ka thënë se në PDK nuk kishte përkrahje, çfarë është një prej arsyeje për largimin e saj që aty, njofton KlanKosova.tv.

“Me zhvillimet e fundit për zgjedhje të Presidentit, në vazhdimësi kam pasur kërkesa të shumta nga elektorati që më ka zgjedhur, që të marr pjesë në seancën parlamentare për zgjedhje të Presidentit. Mesazhi i tyre i qartë ka qenë që të marr pjesë sepse nuk duan të ketë zgjedhje sërish. Mbajtja e zgjedhjeve do të nënkuptonte zgjatje e jetës së pandemisë, përgjigje jo adekuate ndaj rënies ekonomike, dhe si rezultat izolim të Kosovës, jo vetëm për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave por edhe për shkak të pandemisë”, ka thënë Grainca.

“Prandaj, unë kam vendosur të dëgjoj elektoratin tim, dhe të marr pjesë në seancën e së dielës përkundër faktit që veçse ishte siguruar kuorumi”.

“Largimi nga PDK ka qenë për shkaqe politike. Nga prezantimi i emrit tim në kryesi (të PDK dega Ferizaj) e deri më tani, nuk kam gjetur përkrahje. E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës. E përveç kësaj, edhe për shkak që nuk kam qenë pjesë e taborëve politike të mirë-vendosura. Që nga fillimi më kanë neglizhuar si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror duke mos më ofruar mundësi për zhvillim si një politikane e re dhe si person që përfaqëson rininë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Ajo ka thënë se ajo çka tha PDK dje se ka kaluar në VV për përfitime financiare është shpifje e tyre.

“Akuzat për përfitime financiare janë thjeshtë shpifje dhe mundësi për të mos kërkuar përgjigje të vërtetë. Përfitimi financiar asnjëherë nuk kanë qenë qëllim as për angazhimin tim në politikë e as për kalimin në Vetëvendosje. Ky sqarim është për publikun e gjerë, pasi që ata që më kanë votuar e dinë mirë gjendjen time financiare dhe kontributin bamirës në shoqëri”, ka thënë ajo ndër të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Këshillit drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj, ka thënë…