Flet Fahri Fazliu pas ftesës nga Gjykata Speciale
Tani është 29 vjeç, ndërsa gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte vetëm 8-vjeçar. Por, pavarësisht se ishte fëmijë gjatë luftës Gjykata Speciale në Hagë e ka ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.
Fahri Fazliu , i cili e mban emrin e xhaxhait të tij dëshmor, e ka pranuar mbrëmë këtë ftesë.
“Më thirrën përmes telefonit dhe më thanë që jemi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe më thanë se duhet të takohemi sepse e kemi një letër me rëndësi për ty. Unë i’u thash se është në rregull. Pasi unë isha në një ngushëllim, e kisha një rast vdekje, i thirra dhe e mora ftesën. Ishte shumë e pazakontë për mua sepse unë në luftë isha shumë i vogël dhe me më thirr si dëshmitar është shumë e pazakontë, por tash të shohim”, ka thënë ai për “lajmi.net”.
Pas komunikimit disa orësh në “Whatsapp”, ai ka thënë se rreth orës 23:00 dhe se kishte refuzuar që atë ta pranojë në rrugë.
“Më thanë se jemi tek ‘Maxi’. Shkova atje dhe më dukej e pazakonshme me marrë ftesën aty. Unë i’u thash e ftesën kam dëshirë ta pranojë para Policisë së Kosovës, sepse nuk ka fshehtë asgjë. Vazhduam. Shkuam para stacionit të Policisë së Kosovës dhe i takova. Ishin tre persona, një përkthyes dhe dy persona që në ‘ID’ u shkruante ‘EULEX – Prokuroria Speciale’. Ma dhanë ftesën dhe kaq. Krejt kjo ka ndodhë rreth orës 23:00”, ka thënë Fazliu.
Në fillim kishte menduar se Gjykata Speciale e kishte ngatërruar me xhaxhain e tij dëshmor, por edhe kjo mundësi ishte hedhur poshtë.
“Familja ime ia ka dhënë dy heronj këtij vendi. Është Fahri Fazliu me Afrim Zhitinë që janë vrarë në vitin 1989 dhe vazhdimësia është Bahri Fazilu, që është vrarë në kufi. Janë dy axhallarët e mi, që unë e trashëgojë ermin e njërit prej tyre, Fahri Fazilu. Ne, si familje gjithmonë kemi qenë nga pushtuesi në sy sepse jemi marrë për të mirën dhe lirinë e këtij vendi. Fahri Fazliu është dëshmor dhe aty në ftesë është data e lindjes time, 22.03.2991. Nuk besoj që është ngatërresë. Por, tash mbetet të shohim”, ka thënë Fazliu.
Fazilu, i cili është ndër dëshmitarët më të ri në moshë në proceset gjyqësore në Hagë, tregon procedurat pas kësaj ftese.
“Tash me siguri më duhet një avokat dhe me shkuar të paraqitem në Hagë. Tash e kam ndërmend t’iu shkruaj një email e të them se nuk kam nevojë të shkoj atje, por të më marrin në pyetje në Fushë Kosovë, siç më thanë mbrëmë se mundem edhe ty”, ka thënë Fazliu.
Në ftesën që Fazliu ka pranuar është thënë se duhet të paraqitet në Hagë më 23 qershor 2021.