Flet gjinekologu Albert Lila, pacientja e të cilit vdiq dje nga COVID-i

22 prill 2020 | 09:47

Gjinekologu Albert Lila nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë ka folur pasi është konfirmuar pozitiv me virusin “Korona”. Lila ishte infektuar pasi e kishte kontrolluar gruan shtatzënë e cila ndërroi jetë dje.

Gjinekologu Lila se po e ndien veten mirë. “Kisha një koll të thatë, si diçka që të mbetet në fyt dhe një ndjesi që po mbes pa frymë. Këto simptoma ishin në ditën e gjashtë dhe të shtatë. Sot është dita e tetë e infektimit tim dhe lirisht mund të them se po ndihem mirë”, rrëfen Albert Lila për emisionin Radar në RTV Dukagjini.

Sa i përket vdekjes së ish-pacientes së tij, Lila thotë se është tejet i lidhur emocionalisht me atë rast, teksa tregon se ajo ishte udhëzuar nga Spitali i Gjakovës që të dërgohej në QKUK.

“Pacienten në fjalë e kemi udhëzuar të transferohet në Prishtinë për ekzaminime të mëtejme. Ka qenë insistim i ekipit të mjekëve nga Spitali i Gjakovës që pacientja të testohet për COVID-19. Pas marrjes së lajmit që pacientja ka rezultuar pozitiv në COVID-19, ekipi që kemi qenë kujdestarë atë natë jemi testuar”.

Doktori thotë se nga testimi e deri në daljen e rezultateve kanë shkuar rreth 20 orë.

“Për mua ishin si 20 vjet pritje”, tha ai.

Lila shtoi se familja e tij në bazë të protokolleve duhet të presë disa ditë për t’i kryer testimet.

Ai thotë se nuk ka pasur kontakte me familjarë të tjerë pasi që ka parandier që mund të ishte infektuar për shkak të kontakteve me pacientë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora dhe Dua Lipa janë bërë bashkë në një…