Flet ish i burgosuri që këndoi “Marshin e UÇK-së” në burgun e Nishit

18 qershor 2021 | 18:32

Ish i burgosuri politik në burgjet e Serbisë, Naim Lushi, ka rrëfyer ekskluzivisht në T7, historinë e arrestimit të tij në kohë lufte dhe dërgimin në burgjet serbe për vuajtje të dënimit.

Lushi ekskluzivisht  në emisionin “Frontal” me Arsim Lanin, ka treguar se kënga e parë që e ka kënduar në burgjet serbe, ka qenë “Marshi i UÇK-së”.

“Kënga e parë qe e kam kënduar në burg ishte ‘Marshi i UÇK-së’. Kishte shumë të burgosur që nuk e kishin dëgjuar kurrë këtë këngë. E dëgjuan aty për herë të parë”, ka thënë ai.

Një histori e veçantë e Lushit ishte edhe ajo e momentit që u plagos me shtatë plumba. Sipas tij, shokët e kanë planifikuar dërgimin e tij në spital, me qëllim që të mos kuptohej se ai ishte ushtar i UÇK-së.

“Unë kam qenë edhe i plagosur. Jam trajtuar në spital, në Pejë. Kisha shtatë plagë në trup. Gjasat ishin më shumë që unë të vdisja sesa të shpëtoja. Shokët i panë plagët e mija dhe më dërguan në spital. Shokët kishin shkuar në shtëpi e kishin marrë familje dhe pastaj bëhet një lloj kamuflimi që familjarët e mi të më dërgojnë në spital. Në pyetjen e parë që pyeten se si ishte plagosur, u thanë se e ka shpërthyer kau”, deklaroi Lushi.

Ish-ushtari i UÇK-së, tregoi edhe për momentin kur dëshmore ra Myrvete Maksutaj, në përpjekje për ta larguar atë nga spitali.

“Mjekët e kishin ditur që po vi unë dhe e dinin se çfarë kam. Unë mbeta aty dhe më vonë e kuptuan se unë jam ushtar i UÇK-së. Shokët prapë kanë bërë përpjekje që të më nxjerrin nga spitali. Myrvete Maksutaj ka rënë aty. Unë nuk dija asgjë. Kisha ba ma mirë edhe pse isha i palëvizshëm”, ka thënë ai.

Ai rrëfeu edhe për momentin kur atë e dërguan në zyret e policisë në Pejë. Lushi tregoi edhe për një moment kur atë e kishin lidhur dhe kushdo që kalonte, sipas tij e godisnin me shqelma e boksa.

“Në atë gjendje më morën dhe më dërguan në zyret e UDB-së në Pejë. Aty filluan torturat e tjera. Ka pasur rast që edhe më kanë lidh në korridor, për radiator të nxemjes dhe kushdo që kalonte më godiste me grushte e shqelma. Këtë e bënin kur të mundeshin. Kam qenë vetëm 27-vjecar atë kohë. Mjaft i ri. Ka pasur rasti që kam thënë është fundi. Kam dashur me i provoku dhe me ma dhanë fundin”, tha ai.

E shumë herë, Lushi tha se e ka dëshiruar më shumë vdekjen sesa jetën. Një rast i tillë, ai tha se ka ndodhur kur gjykatësi serb ia ka vendosur në tavolinë fotografinë e dëshmores Maksutaj, të vrarë në korridor të Spitalit të Pejës.

“Njëri rast ka qenë kur më kanë dërguar tek gjykuesi dhe më pyeti se pse ke qenë pjesë e UÇK-së. I thosha jo askush, por vetja ime. Ma ka nxjerr fotografinë e Myrvetit të vrarë në korridorin e spitalit dhe aty s’kam ditë më asgjë. Ata më godisnin fizikisht unë me fjalë”, tha ai.

Lushi gjatë luftës ka humbur edhe anëtarë të familjes. Ai tregoi se si e parandjeu që iu ka vrarë babai, por se nuk e dinte se kush janë edhe anëtarët e tjerë që ishin vrarë nga serbët.

“Ne nuk kishim pasur nga fillimi i luftës kontakt. Fondi Humanitar me Natasha Kandiqin kishte marrë iniciativë sjelljen e avokatëve nga Kosova në Serbi. Ata i thirrnin të burgosurit dhe u sjellin një pako dhe i jepnin informacione për familjen. Në mendjen time ishte se ata nuk ishin mirë. Unë e kisha parandjenjën që babai mu ka vrarë. Mua më kishte të vetmin djalë dhe thosha nuk ka menduar asgjë tjetër përveç meje dhe nuk ka ikur. Kur shkova unë te avokati i thashë, kush janë tjerët te Lusht që kanë vdekur sepse për babain tim e di. Ai më tha se e vërtetë babai tu ka vrarë, por janë edhe pesë, gjashtë të tjerë që nuk i di kush janë. Ai më tha edhe ngushëllime”, deklaroi ai në T7.

Ish i burgosuri politik tregoi edhe për momentin kur u tregoi shokëve në burg për humbjen e familjes së tij dhe për reagimet e tyre.

“Secilin e mendoja të vdekur. Dy persona u lutsha të mos jenë të vdekur. Njëri djali i axhit, Valdeti sepse ka qenë shumë i ri dhe Qamili. Që të dy bashkëpunonin me mua. Thosha mos ndonëse kanë marrë vet iniciativë. Doli që të dy ishin gjallë. Shokët më pyetën se si e kisha familjen. Ju tregova që babi dhe nja pesë, gjashtë të tjerë ishin vrarë. Disa nuk lëviznin dhe nuk gjenin as forcë për të më shprehur ngushëllime. Mendova dhe thashë ata e kanë hallin e familjes së tyre. Aty fillova ta këndoj ‘Marshin e UÇK’ dhe e kam kënduar më fuqishëm se kurdoherë”, tha ai.

Lushi, foli edhe për një letër që i kishte dërguar babait të tij, gjatë kohës sa ishte në burgun e Nishit, pa e ditur se babain ia kishin vrarë.

“Unë sa isha në burg i kisha shkruar një letër babait pa e ditur se ai kishte vdekur. Ma kishin kthyer me një ‘X’, që asokohe nuk e dija për çfarë. Ajo kishte qenë se ky person nuk ekziston”, tha ai në “Frontal”.

Nga burgu Lushi është liruar në fund të muajit nëntor të vitit 2001, teksa takimin e parë, ai tha se e ka pasur me nën e tij.

Gjatë kohës sa ai ishte në burg ai kishte shkruar edhe një libër me poezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lulëzim ETEMAJ Gazetari dhe publicisti nga Tetova, Ismail Arsllani, pas…