Flet mërgimtari nga Malisheva që i dhuroi 10 mijë euro fondit për mbrojtën e Kadri Veselit në Hagë
Isak Gashi nga fshati Mleqan i Malishevës që aktualisht jeton në diasporë ka vendosur që nga kursimet e tij t’i dhuroj 10 mijë euro për fondin e krijuar për mbrojtën ligjore të ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që aktualisht është në paraburgim në Hagë.
Gashi në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se ai Veseli me bashkëluftëtarët e tij kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e të gjithë shqiptarëve.
“Ai ka nevoje për ne më shumë se kurrë më parë. Unë e kam kryer obligimin tim. Edhe vet kam qenë ushtar i UCK-së dhe vlerësoj se ata po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë Gashi për “Indeksonline”.
Më këto mjete të dhuruara, Isak Gashi planifikonte që t’i investonte në shtëpinë e tij, por thotë se ai do të punoj sërish dhe vitin tjetër do t’i investoj në shtëpi.
Kujtojmë se muaj më parë përmes një komunikate është bërë e ditur se për mbështetjen ligjore të ish-kryetarit Kadri Veseli është themeluar Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen e Kadri Veselit”.
“Fondacioni është themeluar mbi bazën e kuadrit ligjor në fuqi në Republikën e Kosovës dhe ka për qëllim grumbullimin e mjeteve financiare në mënyrë të mirë-organizuar dhe transparente nga ana e personave fizikë dhe juridikë – të cilët shprehin vullnetin dhe solidaritetin e tyre për të ndihmuar financiarisht, përmes donacioneve, mbrojtjen juridike të ish-Kryetarit Veseli”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e këtij fondi.