Flet Nijazi Thaçi pas emërimit në pozitën e u.d të drejtorit menaxhues të KEK-ut
Nijazi Thaçi, i cili është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka reaguar rreth akuzave që i janë bërë atij nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se nuk ka qenë dëshirë e tij as kërkesë për t’u bërë drejtor menaxhues i KEK-ut, pavarësisht se ai në këtë institucion ka punuar mbi një dekadë.
“Asnjëherë nuk kam shfaqur ambicie as nuk e kam kërkuar këtë pozitë, por në këtë situatë kam qenë i detyruar ta pranoj për faktin se ashtu e parasheh skema organizative e KEK-ut dhe është obligim ligjor që më takon duke u bazuar në pozitën të cilën e kam ushtruar deri më tani”, ka shkruar Thaçi.
Kurse sa i përket akuzave ndaj tij, ai ka theksuar se nuk e ka në plan të merret me to. “Sa i parket deklaratave politike e spekulimeve tjera nuk e kam në plan të merrem me to sepse faktet flasim më mirë se gjithçka tjetër”, ka shkruar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Nijazi Thaçi ka thënë se KEK-u është ndërmarrja më e fuqishme në Kosovë dhe falë punës e përkushtimit të madh që kanë bërë të gjithë, është e vetmja ndërmarrje publike me performancën më të mirë.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar miq, dashamirë e kolegë nga KEK-u,
Kërkojë falje që sot gjatë gjithë ditës kam qenë i ngarkuar me punë dhe nuk kam mundur t’iu përgjigjem urimeve të shumta që më keni dërguar për emërimin në pozitën e u.d të drejtorit menaxhues të KEK-ut. Faleminderit shumë të gjithëve.
Për të qenë shumë i sinqertë me ju dhe për të sqaruar disa reagime në media, po ju tregoj se as nuk ka qenë dëshira ime as kërkesë e imja për t’u bërë drejtor menaxhues, pavarësisht se në KEK punoj dhe kam kontribuar tash e mbi një dekadë.
Asnjëherë nuk kam shfaqur ambicie as nuk e kam kërkuar këtë pozitë, por në këtë situatë kam qenë i detyruar ta pranoj për faktin se ashtu e parasheh skema organizative e KEK-ut dhe është obligim ligjor që me takon duke u bazuar në pozitën të cilën e kam ushtruar deri më tani.
Sa i parket deklaratave politike e spekulimeve tjera nuk e kam në plan të merrem me to sepse faktet flasim më mirë se gjithçka tjetër. KEK-u është ndërmarrja më e fuqishme në Kosovë dhe falë punës e përkushtimit të madh që kemi bërë të gjithë jemi e vetmja ndërmarrje publike me performancën më të mirë, me numrin me të madh të punëtorëve, me stabilitetin me të madh financiar dhe pa asnjë dilemë kompania më së miri e menaxhuar në gjithë vendin.
Faleminderit të gjithë ju që më keni uruar sot,
Faleminderit të gjithë kolegëve në KEK
Një falënderim të veçantë për drejtorin Arben Gjukaj i cili padyshim që është meritori më i madh i sukseseve dhe të arriturave të KEK-ut. Shembull për punë, përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm në punë dhe modesti.
Sikur gjithmonë edhe nga kjo pozitë do të keni mbështetjen time dhe do të punojmë bashkërisht për të qenë shembull përballë çdo sfide në punë.
Sinqerisht,
Njazi Thaçi