Flet shqiptari që fitoj mandatin e deputetit në Parlamentin e Suedisë
Adnan Dibrani ka fituar mandatin e tretë si deputet në Parlamentin e Suedisë. Ai është shprehur se ndjehet mirë për këtë sukses.
Duke qenë shqiptari i vetëm që ka fituar ulëse në parlamentin suedez, ai ka theksuar se meritor për këtë janë bashkatdhetarët të cilët jetojnë në Suedi, të cilët i kanë dhënë përkrahje në garën elektorale.
“Partinë dhe shqiptarët i kam pasur krah, prandaj ka ardhur suksesi”, ka thënë Dibrani për “Klan Kosova”.
“Është shumë ndjenjë e mirë, veçanërisht pasi kjo është hera e tretë që zgjidhem si deputet. Ka pasur edhe shqiptarë të tjerë në garën zgjedhore, por që tash pas zyrtarizimit të rezultateve kanë mbetur nëpër nivele të tjera, nëpër komuna”, ka thënë ai.
Dibrani ka thënë se ka pasur rreth 6 për qind të votave të partisë, kurse ka përmendur se të gjithë ata që kanë vota mbi 5 për qind nga totali sa ka partia, e kanë të sigurt ulësen në parlament.
Është Partia Socialdemokrate së cilës i përket ai, ka dalë fituese e zgjedhjeve me mbi 28 për qind.
Dibrani ka migruar në Suedi me familje në vitin 1992 dhe është nga Mitrovica.