FLETË E SHKËPUTUR NGA DITARI
Sabri Kiçmari
Stuttgart -Ulm, 16. Janar 1999
Pas manifestimit përkujtimor nisem për Ulm. Do të marrë pjesë në një manifestim me bashkatdhetarë. Rrugës për në Ulm njoftohem për Masakrën e Reçakut. Thërras në Zonën Operative të Llapit dhe më njoftojnë se informata është e saktë. Janë vrarë dhjetëra civilë. E marrë në telefon ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Bisedoi me zyrtarin e kësaj ministrie, z. Heindel. E pret me keqardhje informatën dhe më thotë se menjëherë do ta njoftojë ministrin Fischer.
Pastaj marrë në telefon kabinetin e ministrit të Jashtëm të Holandës dhe e informoj për masakrën që ka ndodhur në fshatin Reçak. Zyrtarja e Ministrisë së Jashtme shpreh hapur në telefon zemërimin ndaj politikës kriminale të Beogradit. Më thotë se ministri Von Aartsen është në një takim dhe posa të lirohet nga takimi, do ta njoftojë për krimin. Pastaj thërras në Ministrinë e Jashtme të Austrisë.
E marrë në telefon z. Jandl. Kur i jap informatën për krimin në Reçak, më thotë:
– Sërish kanë filluar me krime?
– Ata nuk dinë të ndalur! Janë vrarë civilë të pambrojtur, në mesin e tyre fëmijë dhe pleq.
– A janë të njoftuar vëzhguesit e OSBE-së? – më pyet.
– Po, posa mora vesh se janë nisur për në vendin e ngjarjes!
Më pas vendos të lëshoj një informatë të shkurtër në lidhje me krimin e ndodhur në Reçak për të gjithë gazetarët, adresat e të cilëve i kam të incizuara në laptop. Ndalemi në një vendparkim dhe e formuloj shpejt e shpejt tekstin, duke u bërë lutje redaksive të dërgojnë korrespondentët e tyre në Reçak. Informatën e përcjell përmes e-mailit, duke u futur në internet përmes telefonit celular me rreze infra të kuqe. Miku im, Agim Rashani, ma pati rregulluar këtë mënyrë komunikimi për raste të jashtëzakonshme, kur nuk pret koha për përcjelljen e informatës. I gëzohem shumë faktit se arrij të dërgoj njoftimin.
Pas pak minutash fillojnë thirrjet e gazetarëve. Ata duan të vërtetojnë saktësinë e informatës. Disa prej tyre më premtojnë se do të dërgojnë korrespondentët e tyre në Reçak, kurse të tjerët kërkojnë informata shtesë.
Në mbrëmje arrij në Ulm. Takimi me bashkatdhetarët është jo i lehtë. Shumë prej tyre i përcjellin lajmet në ankth. Fytyrat e tyre flasin për vuajtje të rënda shpirtërore. Secili ka anëtarë të familjes në Kosovë. Secili i dëgjon lajmet me drojën se do të dëgjojë emrin e ndonjërit nga anëtarët e familjes së tyre, që është masakruar a vrarë nga forcat policore serbe. Mundohem t’ju jap shpresë dhe forcë.