Fletë e shkëputur nga ditari

25 prill 2020 | 19:01

Kujtesë nga: Sabri Kiçmari

(Në kujtim të Heroit të Kombit Fadil Vata, në 30 vjetorin e vdekjes së tij)

Prishtinë, nëntor 1988

Pas takimit së bashku me Afrimin shkojmë për t’u takuar me Fadilin në banesën e tij. Pasi kalojmë në rrugicën në drejtim të Përmendores, kthehemi në anën e majtë në rrugën pranë sheshit të përmendores, vazhdojmë rreth 300-400 metra drejt, për të marrë një gjysëm kthesë në të djathtë në një rrugicë tipike prishtinase, të mbushur me gropa për mungesë rinovimi. Kujtimi dhe grupi i vëzhguesve na përcjellin me kujdes. Është natë dhe nuk ka fare lëvizje në rrugë.

– A je lodhur shumë nga ilegaliteti. A po ke shumë vështirësi? – më pyet lehtas Afrimi, si pa dashur.
Mundohem ta vështroj në sy, por nuk arrijë. Është natë pa hënë dhe rrugët janë të pandriquara. I vërej vetëm syzet dhe nuk munda të kuptoja dot, nëse përmes pyetjes shprehet ndjenjë dhembshurie, krenarie, apo të dyja së bashku.
– Jo, për t’u lodhur nuk lodhem. Vështirësi ka. Por ato janë të kapërcyeshme. Unë e ndjej detyrë qëndrimin në ilegalietet, përkundër vështirësive.
Arrijmë në banesën e Fadilit. Ai na pret në këmbë. Ende pa u ulur na pyet:
– Si shkoi puna?
– Mirë, mirë! – i përgjigjemi njëzëri.
– U vunë bazat e bashkimit me ta.
– Shumë mirë.
Pas informit në detale në lidhje me takimin dhe përshtypjen tonë, kalojmë në tema të tjera. Marrim vendim për kooptimin e Afrimit në Komitetin Organizativ, përgjegjës për Redaksinë. Debati për këtë çështje është fare i shkurtër. Arsyetimin e jep Fadili. Unë jam plotësisht dakord. Në një fjalë të shkurtër Afrimi thotë se e ndjen veten të nderuar të jetë pjesë e udhëheqjes qendrore të Lëvizjes, se do të japë maksimumin, se e ka një ide për anëtarët e Redaksisë dhe se do të hulumtojë shpejt mundësitë për fillimin e botimit të Gazetës së Lëvizjes.
Më pas bisedojmë në lidhje me rrethanat e krijuara ditëve të fundit, përmes një lëvizjeje masive legale në kundërshtimin e ndryshimeve kushtetuese. Janë protestat masive të qytetarëve, për të cilat duhet marrë një qëndrim.
– Ne duhet të kemi një qëndrim në lidhje me këto protesta!

– Nuk është i vetkuptueshëm qëndrimi?
– Duhet orientuar shoqet dhe shokët!
– Ka pyetje konkrete, nëse duhet marrë pjesë në protesta?
– A mund të imponojmë thirrjen „Kosova Republikë!“ në protesta?
– Është e pamundur për momentin!
– Si shpjegohet që qindra mijëra njerëz thërrasin „Tito – Partia!“, në mbështetje të Jugosllavisë dhe përdorin flamurin jugosllav?
– Si është e mundur që të mbrohet burokracia e Lidhjes Komuniste të Kosovës, e cila është fajtore për terrorin e paparë që nga vitit 1981?
– Nuk duhet që ne ta reduktojmë kërkesën „Kosova Republikë!“ në kërkesën për mbrojtje të autonomisë!
– Ka shumë shokë që flasin hapur kundër dhe nuk marrin pjesë në to!
– Duhet ta mendojmë shtruar këtë gjë.
– Duhet të nxjerrim konkluzione dhe t’ua shpërndajmë anëtarëve.

– A kemi farë dëmesh nga këto protesta?
– Po krijohet përshtypja se shqiptarët e duan Jugosllavinë, në kohën kur kombet tjera po përgatiten për shkëputje; në opinion nënkuptohet sikur udhëheqja e Lidhjes Komuniste të Kosovës e ka mbështetjen e popullit, gjë që nuk është e saktë; të thirresh në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, Josip Broz-Titon, të mbash flamurin jugosllav është një skenë që regjistrohet nga opinioni ndërkombëtar dhe do të na dëmtojë ne që kemi propaganduar vazhdimisht se shqiptarët nuk e duan LKJ as satrapin Tito.
– A kemi farë dobie nga këto protesta?
– Dobitë kryesore janë: njerëzit e kanë thyer frikën për të dalë në demonstrata, burokracia e Lidhjes Komuniste është në panik për statusin e saj – ajo nuk do të qëndrojë deri në fund; revolta e masave do të rritet dhe me këtë edhe gatishmëria për protesta, rezistencë; po krijohet një situatë revolucionare, e cila do të jetë shumë e dobishme për qëllimin tonë – për Liri dhe Republikë; ne duhet ta kanalizojmë shpirtin protestues në luftën për liri dhe republikë.

Rrimë gjithë natën pa fjetur me Fadilin dhe Afrimin. E formulojmë tekstin udhëzues për qëndrimin e Lëvizjes ndaj protestave të nëntorit 1988. I formulojmë idetë dhe kahjet kryesore në të cilat do të orientohesha unë për të përgatitur një Letër drejtuar Degës së Lëvizjes jashtë vendit, të cilën do ta nënshkruanim ne të tre. Në atë Letër do ta informonim Degën mbi gjendjen politike, mbi rrjedhën e bisedimeve me shokët e rrethit të Prizrenit dhe mbi vendimet e përbashkëta që kemi marrë në mbledhjen e komisionve, kërkojmë të na dërgojnë materiale etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izolimi për shkak të coronavirusit ka bërë që shumë notarë…