Flick: Duam ta fitojmë këtë titull, nuk e ndryshoj portierin

02 dhjetor 2024 | 15:40

Nuk ka shumë kohë për të folur për problemet që ka kaluar Barelona në javët e fundit. Trajneri i “blaurganave”, Hansi Flick, doli në konferencë për shtypin për të folur për ndeshjen e radhës në kampionat me Mallorcan.

“Lajmi më i mirë është që muaji nëntor ka kaluar, tani jemi në dhjetor. Ekipi ka dhënë shumë, kemi dominuar dhe krijuar raste, por nuk i kemi përfunduar siç duhet. Është e vërtetë që jemi ekipi më i ri në kampionat dhe duhet të vazhdojmë të mësojmë shumë gjëra, nëse duam të luftojmë për fitoren. Kur ndeshja komplikohet, duhet të qëndrojmë të bashkuar,” tha Hansi Flick në konferencë për shtyp.

Ka shumë gjëra që mund të them për ndeshjen kundër Las Palmas, por nuk dua, sepse do të dukej sikur po kërkoj justifikime dhe nuk më pëlqen kjo. Ekipi mund të kishte fituar atë ndeshje dhe tani ndiejmë presionin. Përqendrimi është thelbësor, duhet të shfrytëzojmë rastet. Ekipi, siç thashë më parë, u përpoq të luante, kishim më shumë se 70% të zotërimit të topit, por në futboll ajo që ka rëndësi janë golat dhe kohët e fundit nuk kemi shënuar shumë.

Cila është gjëja më urgjente për t’u përmirësuar?
Gjithmonë ka një arsye pse pëson një gol. Kur mbrohemi si një bllok i vetëm, gjithçka shkon mirë. Por shpesh e ulim presionin dhe lëmë shumë hapësira.

A po shqetësoheni për vendimet e arbitrit?
Jo. Varet nga ne vetë: kur kemi luajtur më mirë, kemi fituar. Nuk merrem me këto gjëra dhe nuk dua të kërkoj justifikime.

Çfarë ju tha Laporta? Si është gjendja emocionale e ekipit?
Presidenti erdhi në stërvitje, nuk është hera e parë që na viziton dhe, sigurisht, folëm. E urova për 125-vjetorin e klubit, ata e kishin organizuar gjithçka shumë mirë dhe ne donim t’i bënim një dhuratë…

A mund të luajë Olmo nesër? Si është Araujo?
Ronald po përmirësohet shumë, po e rrit nivelin e tij dhe është gati. Nuk e di nëse do të jetë në ndeshjen e ardhshme apo atë tjetër. Olmo është rikthyer dhe është i disponueshëm për formacionin titullar.

Pse ekipi nuk ka më atë shpirt luftarak për të cilin flisni?
Nuk thashë që nuk kanë pasur grintë në tri ndeshjet e fundit, ajo që thashë është që kemi zotëruar topin për një kohë të gjatë, kemi krijuar shumë raste. Duhet të luftojmë në këtë kampionat, duam ta fitojmë këtë titull dhe dua t’i shoh të gjithë duke luftuar.

Si menaxhohet kalendari?
Kam menduar shumë për mundësinë e ndryshimeve, për ata që kanë nevojë të pushojnë… por sot pashë që të gjithë janë gati dhe kanë dëshirë të luajnë, dhe kjo është një shenjë e mirë për ekipin. Le të shohim, na presin tri ndeshje të vështira, por ky është futbolli.

Sa i rëndësishëm është Marc Casado për ekuilibrin e ekipit?
Ai është përmirësuar shumë që nga fillimi i sezonit, Marc ka luajtur tashmë ndeshjen e tij të parë me kombëtaren. Është një lojtar që di të lexojë lojën e kundërshtarit dhe e di ku duhet të qëndrojë në çdo moment; kur gabojmë, ai e di ku të pozicionohet.

Pse Raphinha nuk ia dha shiritin De Jongut?
E vërteta është që nuk e vura re, nuk është për ndonjë arsye të veçantë. Në Gjermani zakonisht nuk bëhet kjo gjë e kalimit të shiritit të kapitenit. Nuk e di saktësisht çfarë ndodhi.

Si është Szczesny?
Sot bëri një stërvitje shumë të mirë, por mund të them se për momentin nuk kam ndërmend të ndryshoj portierin. Iñaki është titullar, siç kam thënë edhe më parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edi Sahatqija nga Gjakova shpall të pavlefshme diplomën e shkollës…