
Flick nuk gabon kurrë, 8 fitore në 8 finale të karrierës
Hans-Dieter Flick ka vendosur një rekord mjaft interesant. Trajneri i Barcelonës, me fitimin e “Copa del Rey”, mbrëmjen e së shtunës, ka arritur suksesin e tij të tetë në tetë finale të luajtura në karrierë.
Triumfi i parë ishte kundër Argjentinës, kur fitoi Kupën e Botës 2014 si ndihmës trajner me Gjermaninë, më pas me Bayern Munich dhe Barcelonën.
Për më tepër, ai mbetet i pamposhtur si trajner edhe kundër Real Madridit: 3 fitore në 3 ndeshje, me plot 12 gola të shënuar.
“Jam shumë i lumtur për skuadrën time dhe për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë lojtarët. Ishte thjesht e pabesueshme mënyra se si luftuan, si arritën të dalin nga vështirësitë në finalen e Kupës së Mbretit… Jam shumë krenar për ta”, deklaroi Flick pas fitores 3-2 ndaj Real Madridit, duke ngritur trofeun e 32-të (të “Copa del Rey”) në historinë e Barcelonës.
“Marrja e një titulli në një ndeshje ‘El Clasico’ kundër Real Madridit është gjithmonë diçka speciale. Jam shumë i lumtur për lojtarët dhe 26.000 tifozët e Barcelonës që ishin në stadium, e meritonin këtë trofe”.
“Jam shumë krenar. Për mua është e jashtëzakonshme ajo që po bëjnë këta djem, mënyra se si luftojnë. E vlerësoj shumë përkushtimin e tyre, nuk dorëzohen kurrë. Mendoj se të gjithë, klubi, tifozët, janë krenarë për këtë skuadër”.