Flora Brovina kërkoi falje publikisht. E të tjerët?

18 maj 2019 | 19:46

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

“Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”

Prezantimi publik i dy fotografive nga ana e Flora Brovinës në ditën kur Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi rezolutën kundër gjenocidit serb tronditi opinionin publik shqiptar.

Edhe pse bëhej fjalë për dy ngjarje për të cilat opinioni publik ka qenë i informuar edhe më parë, tronditja e opinionit publik në Kosovë mori përmasa të jashtëzakonshme për shkak se  rishfaqja e fotove u bë në kohën kur Kuvendi i Kosovës diskutonte për miratimin e rezolutës kundër gjenocidit serb.

Njëra nga këto foto kishte fotografinë e maskuar të një vajze shtatëvjeçarë që kishte vdekur pas dhunimit që i kishin bërë forcat serbe, ndërsa fotografia e dytë lidhej me prezantimin e një skene dhunimi të një femre nga tre ushtarë, përderisa familjarët e saj ishin detyruar të shihnin skenat e dhunës.

Rasti i vajzës që kishte vdekur si pasojë e dhunës seksuale që forcat serbe aplikuan në kuadër të politikës së gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës ishte i njohur për opinionin publik shqiptar që në vitin 2016, sepse këtë rast e kishte dëshmuar publikisht nëna e saj, e cila gjithashtu  ishte dhunuar në vitin 1999 së bashku edhe me vajzën tjetër të saj të moshës 10 vjeçare.

Në prill të vitit 2012, gjatë fjalës së saj në një tryezë të organizuar nga “Instituti për demokraci” (Instituti D4D), Flora Brovina kishte publikuar fotografinë e lartpërmendur ku prezantohet dhunimi i një femre nga tre ushtarë. Edhe pse fotografia dhe fjala e Flora Brovinës u bë publike, në atë kohë askush nuk reagoi për të nxjerrë të vërtetën në shesh, madje as shteti serb.

Sikur të ishte bërë një hulumtim serioz rreth vërtetësisë së kësaj fotografie, qysh në vitin 2012 do të kishte dalë në shesh fakti se askush tjetër përveç Shërbimit Sekret të Serbisë nuk mund të qëndrojë prapa përzgjedhjes së një fotografie të nxjerrë nga një dosje e përpiluar nga qarqet antiamerikane me titull “video për dhunimet  e grave irakiane nga ushtarët amerikan” (Rape of Iraqi women by U.S. soldiers video).

Vetëm ata që janë naivë mund të besojnë se gjoja ishte e rastësishme përzgjedhja e fotografisë ku akuzohen ushtarët amerikan për dhunime ndaj grave irakiane. Pse nuk u zgjodh “rastësisht” ndonjë foto e dhunimeve që ushtarët rus kanë aplikuar në Afganistan ose në Siri? Përzgjedhja e skenës ishte me qëllim të dyfishtë: të bëjë shqiptarët fajtorë për shpërndarjen e dosjeve degraduese për ushtarët amerikan.

Heshtja e atëhershme për publikimin e fotografisë në vitin 2012 tregon qartë se përderisa akuzat për gjenocidin serb në Kosovë mbeten në nivel individual, edhe sajesat që kanë për qëllim të dëmtojnë vërtetësinë e këtij krimi mbeten në heshtje.

Konteksti i përgjithshëm dhe atmosfera që u krijua me iniciativat që të miratohet një rezolutë që e përkufizon qartë krimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe njëherësh kërkohet që të themelohet një gjykatë që do t’i ndëshkonte kriminelët e implikuar në krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë bënë që vëmendja e opinionit publik të përqendrohet maksimalisht rreth kësaj çështjeje.

Dhe pikërisht në këtë moment fotoja e përzgjedhur nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe i përcjellë  përmes njerëzve të këtij shërbimi deri në duart e Flora Brovinës  hyri në funksion të strategjisë politike që ka për qëllim shkatërrimin e të vërtetës për gjenocidin serb në Kosovë.

Flora Brovina ka ra në grackë të një strategjie të tillë dhe për shqetësimin që ka shkaktuar me publikimin e kësaj fotoje ajo kërkoi falje publike. Madje ajo shprehu gatishmërinë e saj të ballafaqohet me përgjegjësi.

Flora Brovina kërkoi falje publike. Do të ishte mirë të mendonin rreth përgjegjësisë së tyre të gjithë ata që kanë qenë në dijeni për këtë foto dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë për të verifikuar autenticitetin e saj, së paku nga viti 2012 kur e kanë botuar në mediat e tyre. “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!” (Bibla, Besëlidhja e Re, Gjoni 8:7)

Për Zhak Zhak Rusonë “gënjeshtra është fshehje e të vërtetës që duhet të del në shesh”.  Në këtë rast Shërbimi Sekret i Serbisë arriti të fusë në grackë edhe njerëz që kanë qenë viktima të dhunës serbe, me të vetmin qëllim që të pengojë daljen në shesh e të vërtetës për dhunën seksuale të aplikuar në Kosovë si formë e gjenocidit.

Megjithatë, as linçimi i Flora Brovinës për gabimin që ka bërë dhe asnjë gënjeshtër nuk mund të pengojë të del në shesh fakti i vajzës shtatëvjeçare që kishte vdekur si pasojë e dhunës seksuale, i dhunimit të nënës së saj dhe motrës së saj dhjetëvjeçare; asnjë gënjeshtër nuk mund të pengojë të del në shesh fakti i vajzave që pas dhunimit ishin hedhur të gjalla në bunar; asnjë gënjeshtër nuk mundi të pengojë të del në shesh dëshmia e Vasfije Krasniqit; asnjë gënjeshtër nuk mund të pengojë të del në shesh dhuna seksuale që forcat ushtarake dhe policore serbe aplikuan ndaj mijëra grave të tjera shqiptare e që kishte për qëllim të goditej femra shqiptare si nënë e ardhshme, të cilës duhej t’i cenohej integriteti fizik dhe mendor për ta penguar të krijojë vazhdimësinë e grupit.

Është në nderin e çdokujt që ka qenë në dijeni të përhapjes së kësaj fotoje të ndihmojë në ndriçimin e plotë të zinxhirit transmetues, sepse kjo do të ishte forma më e sigurte për të parë se si u infiltrua kjo gënjeshtër në ditën e Rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë dhe të na shërbejë si mësim për në të ardhmen.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sejdi Hoxha i cili është Kryeshef i Postës së Kosovës,…