Flore: Po punohet që Kosovës ti`a zgjidhim çështjen e Kartonit të Gjelbër
Pas takimit midis Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, dhe drejtoreshës menaxhuese të Këshillit të Byrove nga Brukseli, Greet Flore, kjo e fundit ka thënë se po punohet për një zgjidhje për Kosovën për Kartonin e Gjelbër.
Kështu është shprehur ajo në një konferencë për media, ku ka theksuar se të enjten do të dalin me detaje të reja lidhur me hapat e mëtutjeshëm për Kartonin e Gjelbër.
“Jemi duke punuar se si do të arrijmë tek synimi përfundimtar, bashkë jemi duke bashkëpunuar për të dalë tek një zgjidhje që i hapë kufijtë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo duke shtuar se nesër do jepen më shumë detaje se si do të ecet tutje, shkruan RTK.
Ndërkaq, drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, ka potencuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për hapat që BKS i ka ndërmarrë për të qenë pjesë e Këshillit të Byrove.
Ndryshe, në muajin korrik të këtij viti, një delegacion nga Kosova udhëhequr nga Guvernatori i BQK-së, kanë vizituar Brukselin, ku janë takuar me zyrtarët e lartë të Këshillit të Byrove nga Brukseli.
Me këtë rast janë diskutuar modalitete se si Kosova të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.
Kosova ende nuk është anëtare e Kartonit të Gjelbër, derisa sipas Qeverisë është duke u punuar për këtë.
Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.
Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër.
Ky karton merret kur sigurohet vetura dhe vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim.
Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë sigurim në cilindo shtet të huaj, përveç atyre me të cilat Kosova ka marrëveshje reciproke për polica sigurimi.
Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane. Por, statuti i këtij këshilli e thekson se për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i OKB-së.
Për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe aleates së saj, Rusisë, Kosova nuk ka arritur ende të bëhet pjesë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si: OKB, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale e të tjera.
Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa të tjera – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.