Florent Muslija i bashkohet Kosovës
Futbollisti i talentuar, Florent Muslija, është lojtari i radhës që i bashkohet ekipit kombëtar të Kosovës.
Talenti 20-vjeçar i skuadrës së Bundesligës, Hannover, sonte, e ka nënshkruar deklaratën me të cilën përfundimisht i ka thënë “PO” ekipit të Dardanëve. Kësisoj, Muslija do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes që nga ndeshjet e shtatorit kundër Çekisë dhe Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.
Në ceremoninë e nënshkrimit të konfirmimit, kanë qenë të pranishëm presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, përfaqësuesit e FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli e Besim Zeneli dhe familjarët e futbollistit. Presidenti Agim Ademi u shpreh tejet i lumtur që ekipit që po i sjell krenari vendit tonë tashmë i është bashkuar edhe një margaritar tjetër.
“Sot jam shumë i lumtur që iu bashkangjit një Dardan ekipit tonë të Dardanëve. Ky është Florent Muslija një futbollist me kualitet. Më gëzon fakti se familja e tij dhe ky vet kanë qenë të interesuar që t’i bashkohen Kosovës dhe të japin kontributin e tyre që Kombëtarja jonë të arrijë rezultate sa më të mira. Natyrisht një falënderim shkon edhe për Fekmi Kongjelin, i cili bashkërisht me Besim Zenelin, kanë qenë promotorët të cilët kanë biseduar me Florentin dhe kanë arritur deri këtu që ne sot të nënshkruajmë marrëveshjen. Shpresoj dhe besoj që rrugës së Florentit do të shkojnë edhe talentet tjerë të cilët janë me prejardhje nga Kosova dhe faktikisht do ta bëjmë Kosovën atë që e kemi ëndërruar. Ne, Dardanët, do të vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi, derisa Florentit i uroj suksese, shëndet dhe të gjitha të mirat në jetë dhe në ekipin tonë kombëtar”, ka theksuar presidenti Ademi.