Florida kundër Bidenit, i kërcënon me paga drejtorët e shkollave që kërkojnë maska

11 gusht 2021 | 09:20

Guvernatori i Floridës, Ron DeStantis, kritik i njohur i masave kufizuese, ka thënë se shteti që ai e udhëheq mund t’ua ndalë pagat udhëheqësve të shkollave që e bëjnë të detyrueshëm përdorimin e maskave.

Ai më parë ka lëshuar një urdhër kundër politikave të tilla në shkolla, por disa distrikte kanë dalë kundër tij, duke thënë se nxënësit ende duhet të mbajnë maska, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Mosmarrëveshja vjen në kohën kur shkollat amerikane e fillojnë vitin e ri akademik dhe në kohën kur varianti Delta i koronavirusit mund t’i prekë edhe grupmoshat e reja, ndonëse nuk ka dëshmi që ky variant është më i ashpër te fëmijët.

Shumë shtete të ShBA-së së fundi kanë regjistruar rritje rekorde të fëmijëve të shtruar në spitale, ndonëse një numër i tyre raportohet se ka edhe probleme tjera shëndetësore si astma, diabeti ose një virus tjetër i traktit respirator.

Sipas Shoqatës Amerikane të Pediatërve, vetëm 1 për qind e fëmijëve të infektuar me koronavirus në Shtetet e Bashkuara përfundojnë në spitale dhe 0.01 për qind vdesin.

Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA thonë se nxënësit dhe i tërë stafi duhet të përdorë maska në mjedise të mbyllura, edhe nëse ata janë të vaksinuar, si dhe të mbahet distanca sociale në klasë për ta zvogëluar rrezikun e përhapjes së virusit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Giovanni Papini Përktheu: Aurel Plasari Ju jeni të nevojshëm…