Florida, shteti i parë në botë që me ligj ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 16 vjeç
Florida është bërë shteti i parë amerikan dhe i pari në botë që ka miratuar një projektligj, i cili ndalon fëmijët nën 16 vjeç të përdorin rrjetet sociale.
Megjithëse një veprim i diskutueshëm legjislatura e Floridës e ka miratuar ligjin mes një debati të ndezur në ShBA mbi efektet e tij tek të rinjtë.
Autoritetet amerikane kanë kritikuar gjithnjë e më shumë gjigantët e internetit, veçanërisht Metën, të cilin e akuzojnë se dëmton shëndetin mendor dhe fizik të të rinjve.
Projektligji në Florida, i cili ishte miratuar nga Senati, ka kaluar dje edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit, me 108 vota pro dhe 7 kundër. Tani i takon guvernatorit Ron DeSandis që të japë verdiktin final, duke nënshkruar ligjin.
Nëse DeSandis e nënshkruan ligjin, kompanive të mediave sociale do t’u kërkohet të ndalojnë fëmijët nën 16 vjeç që të kenë një llogari në platformat e tyre dhe të mbyllin ato ekzistuese.
Por, ai ka shprehur më parë rezerva. “Prindërit kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre”, ka vlerësuar DeSandis gjatë një konference për medie.
Në janar, DeSandis ka paralajmëruar se projektligji mund të hidhej poshtë nga gjykatat, duke vënë në dukje se iniciativa të ngjashme në shtete të tjera janë bllokuar në gjykatë.
Edhe senatorë nga Florida e kanë kundërshtuar projektligjin, duke argumentuar se prindërit, jo autoritetet, duhet të kontrollojnë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët e tyre.
Për më tepër, disa kritikë të projektligjit thonë se një ndalim i tillë bie ndesh me Amendamentin e Parë të Kushtetutës.
Por, senatori republikan Erin Graal , i cili e ka prezantuar projektligjin e ka mbrojtur atë duke thënë: “Ne po flasim për bizneset që përdorin veçori të varësisë për të manipuluar masivisht fëmijët tanë.”