Fluska e teknologjisë, të dhënat e ShBA-së: stuhia e përsosur mbi bursat
Si ndryshon me shpejtësi humori! Vetëm dy javë më parë tregjet e aksioneve ishin në një garë të pandalshme rritëse, pasi kishin arritur nivele më të larta të të gjitha kohërave për muaj të tërë. Tani janë në rënie të lirë. Indeksi amerikan Nasdaq 100, i dominuar nga gjigantët e teknologjisë që ishin në qendër të bumit, ka rënë me më shumë se 10% që nga kulmi i tij në mes të korrikut. Indeksi standard i Japonisë Topix shënoi humbje dyshifrore, duke rënë me 6% vetëm në 2 gusht – dita e tij më e keqe që nga viti 2016 dhe, pas një rënieje prej 3% më 1 gusht, rënia më e mqdhe 2-ditore që nga viti 2011. Aksionet në vende të tjera nuk janë goditur po aq fort, por paniku po përhapet nëpër tregje. “Matësi i frikës” i Wall Street-it, indeksi Vix, i cili mat paqëndrueshmërinë e pritshme përmes çmimeve që operatorët paguajnë për t’u mbrojtur, është rritur në nivelin më të lartë që nga kriza rajonale bankare amerikane e vitit të kaluar.
Po të shikosh nën sipërfaqe, tek sektorë dhe kompani të veçanta, humori është edhe më brutal. Indeksi i gjysmëpërçuesve të Philadelphias, i cili gjurmon kompanitë në zinxhirin global të furnizimit me çipa, ra me më shumë se një të pestën brenda disa javësh. Arm, një nga këto kompani, humbi 40% të vlerës së tregut. Çmimi i aksionit të Nvidia-s, ka pasur një tendencë luhatëse. Në tre ditët që nga 30 korriku, ajo ra 7%, u rrit 13%, më pas ra përsëri 7%. Më 2 gusht, vlera e Intel, një tjetër prodhues i çipave, ra me më shumë se një të katërtën. Dhe nuk është vetëm industria e gjysmëpërçuesve. Indeksi Kbw i aksioneve bankare amerikane ra me 8% brenda pak ditësh. Çmimet e aksioneve të bankave japoneze gjithashtu pësuan rënie.
Gjërat janë – ose të paktën kanë qenë – duke shkuar mirë për asetet tek të cilat investitorët kërkojnë ngushëllim kur janë të tmerruar: ari, jeni japonez dhe bonot e thesarit të SHBA. Megjithatë, shqetësues është fakti se çmimi i arit ra edhe më 2 gusht, me një rënie kulmore prej më shumë se 2%. Ari është zakonisht një mbrojtje kundër kaosit. Fakti që çmimi i tij u ul më poshtë sugjeron se investitorët mund të kenë shitur jo sepse donin, por sepse u duhej të mblidhnin shpejt para për të plotësuar marzhet diku tjetër. Në këtë rast, ekziston rreziku që të ndodhin shitje të mëtejshme të shpejta dhe të shkaktohet një rreth vicioz.
Tre elementë të kombinuar për t’i shtyrë investitorët përtej limiteve. E para është ndërgjegjësimi se inteligjenca artificiale (AI), dhe në veçanti industria e çipave që e fuqizon atë, ka shpresa jorealiste. Ndryshime të mëdha në çmimet e aksioneve amerikane ndodhën në dhjetë ditët në të cilat pesë gjigantë të teknologjisë – Alphabet, Amazon, Apple, Meta dhe Microsoft – publikuan rezultate që lanë aksionerët të habitur. Edhe Alphabet dhe Microsoft, të ardhurat e të cilëve ia kaluan pritshmërive të analistëve, panë rënien e çmimeve të tyre një ditë pas publikimit të rezultateve. Tek Amazon, të cilët nuk i përmbushën pritshmëritë, u ndëshkuan shumë më tepër. E gjitha kjo tregon se euforia e investitorëve mbi të gjitha gjërat që lidhen me inteligjencën artificiale po pakësohet.
Kjo ka një efekt të menjëhershëm te prodhuesit e çipave, të cilët, nëse investimet në AI reduktohen, mund të mos përballen më me perspektivën e kërkesës së pakufizuar për produktet e tyre. Në realitet, javët e fundit kanë bërë që këto kompani të kenë frikë shumë më tepër sesa një ndryshim i thjeshtë humori. Më 17 korrik, Donald Trump shkaktoi lëkundje tek aksionet e gjysmëpërçuesve, kur sugjeroi që Tajvani duhet të paguajë për mbrojtjen kundër Kinës. TSMC, e cila prodhon shumicën e çipave më të avancuar në botë, është e bazuar në Tajvan dhe për këtë arsye ajo do të ishte e ndjeshme ndaj një pushtimi kinez. Administrata Biden po planifikon gjithashtu kufizime të reja në eksportet e pajisjeve për prodhimin e çipave në Kinë. Me kërcënimin e dyfishtë të kërkesës në rënie dhe një klime gjeopolitike të përkeqësuar, nuk është çudi që aksionet e çipave po bien.
Me rënien e kompanive të teknologjisë, ekonomia amerikane pësoi gjithashtu një goditje, elementi i dytë që dëshpëroi investitorët. Deri kohët e fundit, “lajmi i keq është lajm i mirë”, ishte mantra e tregut. Çdo aluzion për ngadalësim të rritjes ose dobësimit të tregut të punës ishte pozitiv për çmimet e aseteve, pasi do të thoshte se inflacioni kishte të ngjarë të ishte më i ulët dhe do t’i lejonte Rezervës Federale të ulte më shpejt normat e interesit. Por kur u publikua raporti për vendet e punës në Amerikë më 2 gusht, klima ndryshoi: tani lajmi i keq është thjesht i keq.
Të dhënat zbuluan se shkalla e papunësisë u rrit në nivelin më të lartë të tre viteve, me 4.3% në korrik, ndërsa ekonomia shtoi vetëm 114,000 vende pune, krahasuar me një parashikim prej 175,000. Me fjalë të tjera, rreziku i një recesioni që shumë menduan se ishte shmangur, tani është rritur. Si rezultat, tregtarët filluan të vënë bast se Fed do të ulte normat me gjysmë pikë përqindjeje në mbledhjen e ardhshme të bankës qendrore në shtator për të shmangur një ngadalësim të tillë. Kjo edhe pse Jerome Powell, presidenti i Fed, hodhi poshtë hipotezën e një lëvizjeje të tillë vetëm pak ditë më parë. Të ardhurat e bonove të thesarit ranë, me normën dyvjeçare që ra në 3.9%, më shumë se një pikë përqindje nën nivelin e fundit të prillit. Javë më parë, një ulje e ngjashme në kostot e financimit mund të kishte favorizuar aksionet. Investitorët tani duket se po i frikësohen anëve negative të ngadalësimit të rritjes dhe pasojave të saj për fitimet e korporatave, në vend që të duan para më të lira.
Elementi i tretë që trondit tregjet është forca e jenit japonez. Javët e fundit monedha është forcuar kundrejt monedhave të tjera me një ritëm afër rekordit të dy dekadave të fundit. Pjesërisht, kjo është për shkak të vendimit të papritur të Bankës së Japonisë për të rritur normat e interesit me 0.1 përqind më 31 korrik. Rritja e jenit ul automatikisht çmimet e aksioneve japoneze, pasi shumë prej kompanive shumëkombëshe të vendit, si Hitachi, Sony dhe Toyota, i bëjnë fitimet e tyre në valutë të huaj.
Një pjesë e rënies së aksioneve japoneze mund të shpjegohet me këtë efekt. Megjithatë, ndoshta efekti më i rëndësishëm është anulimi i operacioneve populiste, të lidhura me dobësinë e jenit dhe politikën monetare ultrakomoduese. Kombinimi i këtyre dy faktorëve bëri të mundur marrjen e kredive me kosto të ulët në jen, konvertimin e të ardhurave në dollarë dhe investimin në bono thesari, duke marrë një kthim shumë më të lartë se kostoja e borxhit: e ashtuquajtura “carry trade”. Por ndërsa normat e interesit japoneze u rritën dhe ato amerikane ranë, kjo tregti humbi joshjen e saj. Më keq akoma, forcimi i shpejtë i jenit rrit koston e dollarit për shlyerjen e borxhit, duke e shtyrë tregtinë në bilanc negativ. Lëvizjet e dhunshme të javëve të fundit do të kenë detyruar shumë investitorë të mbyllin pozicionet ku ndodheshin dhe ndoshta edhe të shesin asete të tjera, duke rritur paqëndrueshmërinë e letrave me vlerë kombëtare dhe globale.
Si gjithmonë në fund të një jave të trazuar, pyetja e parë që duhet bërë është nëse, në mes të kaosit, çmimi i një aktivi ka pësuar një luhatje të tillë që të rrezikojë një kompani shumë të ekspozuar. Në këtë drejtim, rënia e çmimit të arit dhe aksioneve bankare është shqetësuese. Pyetja tjetër, e lidhur është nëse java e ardhshme do të jetë më e mirë apo më e keqe. Duke supozuar se asnjë investitor i madh nuk vendos të shesë, humori kolektiv do të vendosë. Dhe bazuar në situatën e fundit, kjo nuk është e mirë. / the economist – bota.al