Fluturimi mbi Ujin e Madh
Dibran Demaku
Kohë më parë, kur me avion pata fluturuar nga Hamburgu i Gjermanisë në drejtim të Antalisë së Turqisë, fati kishte dashur që afër meje të ulej një çift gjerman. Derisa gruaja e çiftit ishte shumë e përzemërt dhe gjatë fluturimit mbi tre orësh fliste me dashamirësi, burri i gruas vetëm heshtte. Heshtja e tij më ngjalli kërshërinë dhe në një çast e pyeta gruan e tij se përse i shoqi nuk fliste asnjë fjalë. Duke buzëqeshur më tregoi se i shoqi ka fobi nga fluturimi me avion. Siç mësova nga e shoqja e tij, ai kishte filluar heshtjen tri ditë para fluturimit, nga një shqetësim që e kaplonte para çdo fluturimi. Vetëm pas aterrimit të avionit në aeroportin e Antalias, burri gjerman e tejkaloi shqetësimin e frikës dhe filloi të flasë.
Ime shoqe, ashtu si burri gjerman i çiftit, ka një lloj fobie para çdo fluturimi me avion. Sa më shumë që afrohet dita e fluturimit ajo bëhet gjithnjë e më e heshtur, ndërkaq në ditën e fluturimit tek ajo vërehet një shqetësim. Kështu ndihej edhe në ditën e 31 majit të këtij moti, kur me avion po fluturojmë më së gjati në jetën tonë. Në këtë ditë të fundmajit nisëm fluturimin drejt kontinentit amerikan, fluturim që në gjatësinë kohore zgjat mbi dhjetë orë. Nisja e fluturimit tonë bëhet nga aeroporti i Hamburgut drejt atij të Varshavës, që zgjat mbi një orë e gjysmë. Pastaj nga aeroporti i Varshavës drejt Torontos së Kanadasë, që zgjat nëntë orë pandërprerë. Për t’ia larguar sadopak ndjenjën e fobisë, sapo nisim fluturimin e gjatë, unë i them se në librat e shenjtë, Bibël dhe Kuran, thuhet se çdo njeri e ka engjëllin mbrojtës te krahu i djathtë. Dhe meqë me avionin me të cilin po fluturonim ishin mbi treqind udhëtarë, me ne ishin mbi treqind engjëj që na mbronin. Pas kësaj fjale ime shoqe filloi të buzëqeshë. Me atë buzëqeshje sikur thoshte e shpresonte se avioni do të fluturonte drejt, se po ta merrte tatëpjetën, nuk do të kishte engjëll që do ta shpëtonte.
Pas nisjes së fluturimit të avionit nga aeroporti i Varshavës së Polonisë drejt Torontos së Kanadasë, në mendje më erdhi koha kur Evropa ishte e ndarë në dy pjesë ideologjike dhe gjeostrategjike e që në zhargonin e atëhershëm quheshin Evropa Perëndimore dhe Evropa Lindore. Varshava dhe Polonia e atëhershme ndodheshin nën influencën e Evropës Lindore, apo nën ndikimin e Perandorisë së Kuqe (të keqe) sovjetike, e atëherë as që mendohej se një qytetar i thjeshtë i vendeve të Evropës lindore të mund të fluturonte drejt Torontos së Kanadasë apo cilitdo vend evropian apo amerikano-perëndimor. Atëkohë më e shumta që mund të mendohej ishte që një qytetar i thjeshtë i vendeve të Evropës lindore mund të bënte ndonjë vizitë në ndonjërin nga vendet e Evropës së zonës lindore me tren apo me autobus, pasi të ishte verifikuar mirë e kaluara e tij familjare dhe individuale. Autorit të këtij shkrimi i kujtohet udhëtimi i parë drejt një Evropës lindore, Polonisë atëhershme, udhëtim që kishte ndodhur në mes të shkurtit të vitit 1989, kur Polonia dhe gjysma e vendeve të Evropës lindore ndodheshin nën influencën dhe nën kontrollin e Perandorisë së Kuqe sovjetike. Unë me disa punëtorë të atëhershëm të Televizionit të Prishtinës kishin bërë vizitë njëjavore në disa qytete të Polonisë, në Krakovi, Katovica etj. Pas mbarimit të asaj vizite, autobusi ynë kishte marrë rrugën e kthimit drejt Kosovës (atëherë pjesë përbërëse e Jugosllavisë). Në doganën polake-çekosllovake doganierët polakë na kishin detyruar të nxirrnim nga autobusi gjithçka kishim me vete për kontroll. Duke i shikuar pasaportat tona jugosllave, doganierët polakë na shikonin disi me urrejtje të përmbajtur. Këtë gjë e kishte vërejtur kolegu ynë Llukman Halili, i cili, meqë kishte studiuar në Poloni dhe gjuhën polake e dinte për mrekulli, u thoshte doganierëve polakë se ne kishim pasaporta jugosllave, por ishim shqiptarë të Kosovës. Sapo doganierët polakë mësonin se cilët ishim ne, në fytyrat e tyre shkëlqente një buzëqeshje e çiltër dhe njëri nga ta shpërthente: “Prishtina bum-bum!” dhe shtonte: “Së shpejti do të çlirohemi nga Perandoria e Kuqe”, dhe pa e kryer fare kontrollin tonë dhe të gjërave që kishim me vete, na urdhëronte t’i futnim në autobus ato gjëra që kishim dhe na dëshironte udhëtim të mbarë drejt vendit tonë. Aty në kufirin polak-çekosllovak ne patëm mësuar se dy ditë më parë kishte filluar greva e njohur e minatorëve të Trepçës sonë, që pati dridhur themelet e Perandorisë së Kuqe jugosllave.
Avioni i linjës ajrore Varshavë – Toronto tashmë kishte kaluar bregun jugor të Suedisë. Në trajektoren në monitor shihej se avioni ynë tashmë po fluturonte mbi hapësirat e detit verior që ndodhet ngjitur me tokën skoceze. Edhe pak dhe avioni ynë do të fluturonte mbi hapësirën e Oqeanit Atlantik (apo Ujin e Madh siç e quante ndryshe poeti ynë i madh Ali Podrimja). Ata që e kanë lexuar librin e shenjtë, Biblën, do të kenë vërejtur se atëherë, në fillimet e saj, Bibla me emërtimin Uji i Madh e ka quajtur Detin Mesdhe. Meqë atëherë, në kohën e daljes së Biblës në dritë, bota as nuk e njihte e as nuk e dinte se kishte një tokë tjetër (kontinenti amerikan do të zbulohej shumë shekuj më vonë), Deti Mesdhe quhej Uji i Madh. Pas zbulimit të kontinentit amerikan (në vitin 1492) hapësira ujore në mes të kontinentit të vjetër – Evropës dhe kontinentit të ri – Amerikës do të emërtohej Oqeani Atlantik. Nuk dimë ndonjë tjetër që hapësirën ujore në mes të kontinentit evropian dhe atij amerikan ta ketë emërtuar me emër tjetër pos atij zyrtar e që është Oqeani Atlantik para poetit tonë të madh Ali Podrimja.
Meqë avioni ynë fluturon mbi njëmbëdhjetë kilometra lart tokës, nën ne shtrihen re të bardha si leshi i deleve. Ato re nganjëherë janë aq të dendura sa të krijohet përshtypja se nuk do të mund t’i depërtojë as avioni. Ndodh nganjëherë që gjatë fluturimit retë për pak çaste të shpërndahen dhe ne nga dritaret e avionit shohim tokën e cila është e mbuluar me ujë të Ujit të Madh. Në ekranin që kemi përpara vërejmë se trajektorja e fluturimit të avionit tonë tashmë e ka kaluar Ujin e Madh dhe avioni fluturon mbi hapësirën e Grenlandës – ishullin më të madh të tokës. Grenlanda, ose ndryshe Ishulli i Ngrirë, gati gjatë tërë vitit është e mbuluar me borë dhe me akull. Meqë në kohën kur avioni ynë fluturon mbi hapësirën e Ishullit dhe nën avionin tonë nuk ka re, shihet shkëlqimi i akullit nën rrezet e diellit veror. Ime shoqe, e mahnitur nga ajo bukuri e veçantë natyrore, nxjerr aparatin fotografik dhe dëshiron të fiksojë atë, por meqë është largësi e madhe, në foton e bërë në aparat vërehet vetëm korniza e dritares së avionit dhe një hapësirë e padefinuar qiellore.
Minutat dhe orët ikin e avioni tashmë ndodhet mbi hapësirën ajrore të qytetit apo metropolit kanadez – Toronto. Kapiteni i avionit lajmëron se kanë mbetur edhe pak minuta kur do të aterrojmë në aeroportin e metropolit të madh. Edhe pak minuta e do të zbresim mbi tokën e kontinentit të ri që emrin e ka Amerikë dhe që ne kemi ëndërruar vite të tëra të zbresim dhe të ecim mbi të. Ëndrra e shumë viteve do të na bëhet realitet vetëm pas pak minutash.
Turqi, 2015