Fluturo gëzueshëm artistja ime, Erlisa
Teuta Haxhimusa nga Ferizaj ka përcjellë vajzën për në Universitetin më prestigjioz të shtetit të Belgjikës. Erlisa Çerkini, një sportiste e dalluar e gjimnastikës dhe një piktore e jashtëzakonshme, është pranuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Belgjikë. Haxhimusa në çantën e vajzës, përpos rrobave të ndryshme, ka palosur edhe një qilim të vjetër kuq e zi nga paja e gjyshes me shqiponje të qëndisur.
“I bëra vend dhe e palosa me shumë kujdes edhe një copëz qilimi të vjetër kuq e zi nga paja e gjyshes. Dua që ta mbash me vete, ta varësh në murin e studios tënde të re, si një vepër arti nga vendlindja jote. Sa herë që mendon se je e vetmuar në luftën e jetës sate, dua që ta kundrosh me kujdes copëzën e qilimit me shqiponjë, që të mos e harrosh ndjesinë e djersës, sakrificës, forcës dhe dashurisë së gruas së vendit tënd brez pas brezi (gjysheve dhe stërgjysheve).
Duke prekur shqiponjën e punuar në qilim do t’i kujtosh dhe prekësh rrënjët dhe përpjekjet tona për ëndrrën e lirisë!”, ka shkruar nëna e Erlisës.
Erlisa do të studiojë për pikturë aty ku studioi Vincent Van Gogu, Van De Velde etj., në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura, themeluar më 1663 në Belgjikë.
Shkrimi i plotë i Teuta Haxhimusës, pa ndërhyrje:
U mendova gjatë gjithë gushtit se ç’të vendosja në valigjen tënde, o studentja ime! Edhe këtë gjë, edhe atë, ….
E si mund ta fusësh gjithë shpirtin në një valigje! Nga ndjenja të përziera gëzimi e mallëngjimi herë-herë mu përvodhën edhe çurgë lotësh, që binin shpejt e humbnin brenda valigjes.
I bëra vend dhe e palova me shumë kujdes edhe një copëz qilimi të vjetër kuq e zi nga paja e gjyshes. Dua që ta mbash me vete, ta varësh në murin e studios tënde të re, si një vepër arti nga vendlindja jote. Sa herë që mendon se je e vetmuar në luftën e jetës sate, dua që ta kundrosh me kujdes copëzën e qilimit me shqiponjë, që të mos e harrosh ndjesinë e djersës, sakrificës, forcës dhe dashurisë së gruas së vendit tënd brez pas brezi (gjysheve dhe stërgjysheve).
Duke prekur shqiponjën e punuar në qilim do t’i kujtosh dhe prekësh rrënjët dhe përpjekjet tona për ëndrrën e lirisë! Nga guximi e forca e grave shqiptare ndër breza, muza jote do të merr zjarr!
Rruga e prindërimit kërkon forcë dhe pjekuri shpirtërore për ta mbajtur baraspeshën në mes të dy graviteteve të fuqishme, shtytjes për ta mbajtur gjithmonë fëmiun afër, lidhur për vete, si dhe shtytjes së dashurisë fisnike, që t’i jep krihë fëmiut për ta zgjedhur fluturimin e vetë!
Për ty si një studente e re 18 vjeçare, të jesh larg familjes dhe vendlindjes për ta ndjekur ëndrrën tënde, është sikur të jesh në mes të dy graviteteve, të cilat kërkojnë forcë për t’i balancuar. Mirëpo, që të dyja e ndjejmë dhe kuptojmë, se një shqiponjë nuk mbahet në kafaz, ajo duhet t’i praktikojë krihët e bukur në fluturimin e saj artistik!
Që të dyja, e ndjejmë dhe e dijmë, se një shqiponjë gjithnjë gjen forcën për të balancuar dhe arritë destinacionin e synuar!
Andaj, sot ti hapi krihët për së vërteti, o shqiponja ime dhe fluturo gëzueshëm e kokëlartë drejt lartësive të bukura!
Sot, ndjehem e bekuar, e lumtur dhe krenare që ajo vajza këmbëngulëse 10 vjeçare, e cila ëndërronte të bëhej piktore, ia doli që t’i fillojë studimet për pikturë aty ku studioi Vincent Van Gogu, Van De Velde, etj, në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura, themeluar me 1663, në Belgjikë.
Të priftë shëndeti dhe e mbara në kapitullin e ri të jetës, o artistja ime!
Zemra dhe mendja ime të ndjekin kudo që ti je.