FMN-ja kundër kompensimit të mësimdhënësve të viteve të ’90-ta
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përmbyllur vizitën në Kosovë të zhvilluar nga 30 maji deri më 5 qershor.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ky mision në fokus të agjendës së tij ka pasur zhvillimet e fundit ekonomike dhe perspektivën ekonomike të Kosovës.
Sipas një deklarate të lëshuar për medie, FMN-ja pret që rritja ekonomike për këtë vit të jetë në nivelin 4 për qind, derisa sektorin bankar e ka vlerësuar si të mirëkapitalizuar, likuid dhe me përfitime.
Më tutje, misioni i FMN-së ka këshilluar institucionet e Kosovës që të refuzohet Projektligji për kompensimin e mësueseve të viteve të ’90-ta.
“Misioni këshilloi të mos vazhdojnë përpara me projektligjin aktual të kompensimit të mësuesve, për shkak të kostove të mëdha fiskale direkte dhe indirekte, të cilat do të rëndojnë buxhetin për shumë vite dhe do t’i zënë vendin shpenzimeve të tjera prioritare”, është thënë në deklaratën e FMN-së.
Sa i takon reformave për veteranët e luftës së UÇK-së, FMN-ja ka kërkuar avancimin e këtyre reformave, por ka theksuar se nuk duhet të prezantohen programe të reja me përfitime shoqërore.
“Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes edhe me ristrukturimin e sektorit publik, për të minimizuar rreziqet. Misioni këshilloi që reforma në administratën publike të hartohet mbi bazën e ligjit për kufizimin e pagave. Sa i takon sektorit privat, reformat strukturore mbështetëse duhet të përshpejtohen për të arritur një rritje më të fortë dhe të qëndrueshme ekonomike, të reduktojë hendekun e pagave me pjesën tjetër të Evropës dhe të adresojë papunësinë e lartë”, është thënë në këtë deklaratë.