FMN-ja: Luftimi i korrupsionit mund t’i gjenerojë botës rreth 1 trilion dollarë
Frenimi i korrupsionit mund të gjenerojë çdo vit rreth 1 trilionë dollarë në të ardhurat nga tatimi në mbarë botën, është thënë në një hulumtim të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Përveç rritjes së të hyrave të qeverisë, luftimi i korrupsionit, gjithashtu mund të ndikojë në ngritjen e rezultateve në mesin e nxënësve të shkollave publike, thuhet në raport.
“Më pak korrupsion nënkupton humbje më të vogël të të ardhurave dhe një kualitet më të lartë në infrastrukturë dhe edukim. Frenimi i korrupsionit gjithashtu përmirëson besimin e përgjithshëm publik ndaj qeverisë”, ka theksuar hulumtimi i FMN-së.
Studimet e mëparshme treguan se industritë siç janë minierat dhe ato të naftës janë pika të nxehta për korrupsion, sikurse edhe prokurimi dhe administrimi i ndërmarrjeve shtetërore.
Fondi Monetar Ndërkombëtar është përqendruar në transparencën dhe mbikëqyrjen si elementë kryesorë në frenimin e korrupsionit në këto fusha.
“Ajo që na habiti është se efekti i transparencës është shumë më i fortë në vendet që kanë një media të lirë ose një shoqëri civile të fuqishme”, ka thënë Paolo Mauro, zëvendësdrejtor në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamenti i Çështjeve Fiskale.
Ndër rekomandimet e tjera për të frenuar korrupsionin, FMN-ja ka bërë thirrje për profesionalizimin e shërbimit civil, duke përfshirë punësimin në bazë të meritave, si dhe nevojën për rregulla të thjeshta tatimore.
Raporti rekomandon teknologji që mund të luftojë korrupsionin. Për shembull, zbatimi i prokurimit online shihet si mënyrë më e lirë dhe e shpejtë e luftës kundër korrupsionit.