FMN-ja shpalosi shqetësimet për projektbuxhetin e 2019-s
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka përfunduar vizitën në Kosovë, anëtarët e të cilit kanë zhvilluar një sërë takimesh më përfaqësues të lartë dhe ekspertë të institucioneve qeveritare.
Me këtë rast, ministri i Financave (MF), Bedri Hamza dhe udhëheqësja e Misionit të FMN-së për Kosovë, Stephanie Eble, kanë mbajtur konferencë për medie.
Ai ka thënë se për gjatë dy javëve me përfaqësuesit e FMN-së kanë diskutuar për ecurinë e buxhetit aktual, buxhetin për vitin e ardhshëm dhe për nenin katër të ligjit i cili rregullon çështjet e Qeverisë me FMN-në.
Hamza ka deklaruar se presin që buxheti aktual të përmbushet në masë 98-99 për qind. Po ashtu sipas tij, pritët që deficiti buxhetor te jetë më pak se 2 për qind në fund të viti. “Jemi të detyruar t’i bëjmë disa ndryshime në buxhet sepse është e domosdoshme sepse kemi lëvizje buxhetore”, është shprehua ai.
Hamza po ashtu bëri të ditur se e kanë diskutuar në detaje buxhetin për vitin 2019-të dhe se është qëndrim i përbashkët më FMN-në që të vazhdojnë të ruajnë rregullin e bankave dhe rregullin e bilancit bankar.
Ai vlerësoi se dallimet në parashikimet ekonomike mes FMN-së dhe Qeverisë janë shumë të vogla, rreth 30 milionë euro. “Sa i përket projeksioneve ekonomike, FMN është pak më ulët se ne, e vlerësojmë këtë, por dallimet janë shumë simbolike. Kemi dallime simbolike edhe rreth projeksioneve. Ne e kemi miratuar buxhetin me një diferencë simbolike. Janë disa milionë euro që kemi dallim te projeksionet por kjo nuk e ndryshon qasjen e përbashkët. Dallimin e kemi për rreth 30 milionë euro që duhet të jenë më pak të hyra të planifikuara”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, është e mirëpritur nga FMN-ja fakti që u është dhënë prioritet rendit dhe ligjit, shëndetësisë, arsimit. Hamza po ashtu ka thënë se Kosova qëndron mirë në aspektin fiskal, por kjo sipas tij nënkupton që të ndërmarrin veprime që kanë kosto.
Udhëheqësja e Misionit të FMN-së për Kosovë Stephanie Eble, ka thënë se presin rritje ekonomike në 4 për qind, që sipas saj është rritja më e lartë në rajon. Mirëpo, tha se përsëri mbetet një rritje e cila nuk e zë hapin e zhvillimit të vendeve në rajon. “I kemi disa shqetësime për projektbuxhetin për vitin 2019, për të hyrat dhe fondin për veteranët. Nga ana e shpenzimeve për kategoritë sociale duhet të vazhdojë reforma”, ka deklaruar Eble, duke shtuar se projektligji për pagat duhet të rishqyrtohet ngase nuk trajton “Punë të barabartë për pagë të barabartë”.