FMN-ja vlerëson progresin e BQK-së
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka një momentum të ri në zbatim të reformave dhe po punon në forcimin e strukturave qeverisëse të saj. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) po punon në forcimin e strukturave të saj qeverisëse, me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, kështu thuhet në rishikimin më të ri të Bordit Ekzekutiv të FMN-së mbi Marrëveshjen Stand-By dhe Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri për Republikën e Kosovës.
Sipas FMN-së, emërimi i guvernatorit të ri ka sjellë një momentum të ri për zbatimin e reformave në BQK.
“Emërimi i Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës në muajin gusht ka sjellë një momentum të ri për zbatimin e reformave”, thuhet në njoftimin e FMN-së.
Po ashtu, FMN-ja në këtë rishikim tregon se, në fillim të vitit 2024, ligji i ri për sektorin bankar pritet të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Edhe BQK-ja është nënshkruese dhe pjesë e Programit të fundit “Resilience and Sustainability Facility (RSF)” ku janë përcaktuar disa veprime konkrete dhe të cilat janë duke u zbatuar sipas afateve, siç konstaton edhe komunikata e FMN-së.