FMN-ja vlerëson punën e ATK-së
Është mbajtur takimi përmbyllës i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili ka monitoruar dhe vlerësuar punën e bërë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Ky mision në fokus ka pasur vlerësimin e zbatimit të Planit Afatmesëm të Reformës 2019-2021, konkretisht objektivat e parapara në këtë plan, siç janë trajtimi i borxheve tatimore, avancimi i funksionit të kontrollit tatimorë, rimbursimi i TVSh-së, si dhe avancimi i teknologjisë informative.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka falënderuar ekipin e FMN-së dhe është zotuar se do të vazhdojë edhe më tutje në realizimin e objektivave të parapara dhe përmirësimin e kapaciteteve.
Në këtë takim, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka bërë një vlerësim të jashtëzakonshëm për punën e bërë përgjatë vitit 2019 të cilin vlerësim e kanë pasqyruar në draftraportin të cilin ia ka dorëzuar drejtorit Murtezaj.
Njëkohësisht FMN-ja ka konfirmuar se do të vazhdojë me përkrahjen e saj në zhvillimin e proceseve të rëndësishme të punës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
/Epoka e re/