Foda beson ende tek vendi i parë, kërkon fitore ndaj Rumanisë

11 nëntor 2024 | 13:49

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda beson se vendi i parë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve është ende i mundshëm.

Trajneri gjerman në konferencë për shtyp tha se këtë Dardanët mund të bëjnë përmes fitores ndaj Rumanisë, që është edhe objektivi kryesor i këtij muaji.

Verdhekaltrit do të përballen me rumunët në Bukuresht këtë të premte, ndërsa iu nevojitet fitorja me më shumë se tre gola epërsi për ta marrë eventualisht primatin, shkruan “Gazeta Express”.

“Vendi i parë në grup është ende i arritshëm, por njëherë duhet ta mposhtim Rumaninë. Në tri ndeshjet e fundit jam përgjithësisht i kënaqur me skuadrën, por jo edhe aq pasi është dashur të shënonim më shume gola”, u shpreh Foda.

“Duke qenë se i kemi disa të lënduar, do t’i bëjmë disa ndryshime në ekip. Do të mundohemi të jemi sa më ofanzivë”, përfundoi ai.

Kosova do të luajë me Rumaninë më 15 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë, respektivisht më 18 të këtij muaji, me Lituaninë në shtëpi.

Kosova do t’i ketë katër mungesa në ndeshjet e nëntorit: Milot Rashica, Bersant Celina, Ermal Krasniqi e Leart Paqarada.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, duket se nuk është…