Foda dhe Rrahmani: Ndaj Lituanisë luajmë për fitore
Fitorja është synim i Kosovës në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Lituanisë, e cila zhvillohet sot (e shtunë) në Kaunas nga ora 15:00.
Kështu kanë bërë me dije përzgjedhësi Franco Foda dhe kapiteni Amir Rrahmani në konferencë për medie një ditë para ndeshjes. Strategu gjerman që është në krye të “dardanëve”, ka thënë se do të jetë ndeshje e vështirë, por Kosova synon ta fitojë grupin dhe në secilën ndeshje duhet të luajë për fitore.
“Lituania është një ekip bukur i mirë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne kemi ardhur të fitojmë. Duhet të jemi kompakt në mbrojtje dhe ta bëjmë lojën tonë. Nëse duam ta fitojmë grupin, duhet ta fitojmë secilën ndeshje. Është përballje shumë e rëndësishme”, ka thënë Foda, i cili më pas ka lavdëruar edhe kundërshtaren e sotëm, Lituaninë.
“Lituania ka pasur përformanca të mira pavarësisht prej rezultateve jo të dëshiruara. I kemi parë dhe analizuar të gjitha ndeshjet e saj, sidomos ndeshjen me Rumaninë, ku ka treguar paraqitje shumë të mirë. Po futbolli është i tillë”, ka shtuar Foda.
“Dellova dhe Aliti kanë zhvilluara paraqitje të mirë në ndeshjen e fundit, kështu që kemi disa opsione të mira për nesër. Aliti, Dellova, Krasniqi dhe Hoti janë opsionet për të cilat do të vendosë pas stërvitjes”, ka përfunduar Foda.
Në konferencë për medie i pranishëm ishte edhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani. Ashtu si përzgjedhësi Foda edhe futbollisti i Napolit ka shprehur optimizëm për ndeshjen e radhës, duke thënë se “dardanët” zbresin në fushën e stadiumit “Darius and Girėnas Stadium” vetëm për fitore.
“Jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje, sepse Lituania është një ekip që luan futboll të mirë dhe ka posedim të topit. Duhet të shfrytëzojmë çdo moment. Do të zbresim nesër në fushë për fitore. Rezultatet e Lituanisë nuk e kanë pasqyruar realitetin e përformancës së tyre në fushë, sepse në dy ndeshjet kanë luajtur lojë shumë të mirë. Ndeshjen me Qipron e kanë dominuar totalisht”, ka thënë Rrahmani.
Kosova në dy ndeshjet e para ka grumbulluar tri pikë, kurse ndeshjen e dytë të këtij muaji në Ligën e Kombeve e zhvillon të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Qipros.
/Epoka e re/