Foda: Ja pse e zgjodha Kosovën
Selektori i ri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka folur sot në konferencë për shtyp për fillimin e eksperiencës së tij me “Dardanët”.
Trajneri gjerman thotë se e tërhoqi projekti që iu prezantua dhe zbulon se kishte njohuri për futbollistët e Kosovës, me të cilët kishte punuar në të kaluarën.
Ai dha fjalë të mëdha për futbollistët dardanë, me të cilët beson se do të arrijë suksese.
“Pas një kohe shumë të gjatë që kam punuar në Zurich, e nënshkrova kontratën e re. Pas një jave më ka ardhur kërkesa prej Federatës së Kosovës, kemi zhvilluar biseda shumë të mira, të cilët e përmendën se duan të ndryshojnë shumë gjëra në ekip. Unë edhe më herët kam punuar me lojtarë të Kosovës, sidomos në Zurich. Kosova ka lojtarë shumë interesantë, shumë të mirë, jam shumë i magjepsur se do të arrijmë rezultate të mira”, deklaroi Foda në konferencë për shtyp sot.
Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në këtë muaj, fillimisht me Armeninë më 22 mars dhe më pas me Rumaninë më 26 mars.