Foggo: Tranzicioni i FSK-së në koordinim të ngushtë me NATO-në
Shefi i Komandës së Bashkuar të Aleancës në Napoli, admirali James Foggo, ka takuar sot ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandantin e FSK-së, Rrahman Rama, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
Gjatë vizitës, Foggo ka diskutuar çështjen e planit të Kosovës për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai me këtë rast përsëriti pritshmërinë e tij që tranzicioni i FSK-së të jetë një përpjekje progresive, transparente dhe gjithëpërfshirëse si dhe e koordinuar ngushtë me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare. “NATO mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe stabilitet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, është thënë në një komunikatë për media të KFOR-it.
Admirali Foggo udhëheq Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Napoli, e cila mbikëqyr KFOR-in.
/Epoka e re/