FOL-i: Institucionet e pavarura tregojnë mangësi në zbatimin e dispozitave ligjore mbi deklarimin e dhuratave
Lëvizja FOL ka publikuar të mërkurën raportin “Dhuratat e pranuara nga zyrtarët e institucioneve të pavarura të Kosovës (janar – dhjetor 2023)”, raport ky që ka për qëllim të sigurojë një analizë të detajuar të dhuratave protokollare dhe të rastit të pranuara nga zyrtarët e pesë institucioneve të pavarura të Kosovës gjatë periudhës janar – dhjetor 2023.
Albana Hasani, hulumtuese në FOL, tha se deklarimi i dhuratave dhe pasurisë është ndër mekanizmat themelor në luftimin e korrupsionit, i cili mundëson analizimin e lëvizjeve financiare gjatë kohëzgjatjes së funksionit dhe përputhshmërinë me standardet etike dhe ligjore.
Sipas Hasanit, raporti që është publikuar nga Lëvizja FOL analizon nivelin e zbatimit të dispozitave ligjore mbi pranimin e dhuratave të rastit dhe protokollare nga zyrtarët e pesë institucioneve të pavarura të Kosovës gjatë periudhës janar -dhjetor 2023.
Institucionet e pavarura të përzgjedhura për monitorim janë Banka Qendrore e Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Dogana e Kosovës si dhe Autoriteti i Konkurrencës.
Të dhënat e paraqitura në raport janë siguruar përmes kërkesave për qasje në dokumente publike, drejtuar zyrtarëve përgjegjës të këtyre institucioneve, si dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion kyç për mbikëqyrjen e pranimit të dhuratave.
Analiza e të dhënave të paraqitura në këtë raport, tregon se, ndonëse disa institucione kanë bërë përpjekje për të përmbushur obligimet ligjore për raportimin e dhuratave, ekzistojnë disa mangësi të rëndësishme në implementimin e kërkesave ligjore.
Gjetjet kryesore të këtij raporti janë: Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 kanë pranuar 46 dhurata, prej të cilave 18 dhurata protokollare, ndërsa 28 të rastit.
Pavarësisht kësaj, Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dërguar kopjen e katalogut të dhuratave të pranuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, obligim ky që duhet të kryhet nga institucionet deri më 31 mars të vitit vijues për vitin paraprak; Zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2023 kanë pranuar 11 dhurata, 7 prej të cilave janë dhurata protokollare, ndërsa 4 të rastit. Zyra Kombëtare e Auditimit është i vetmi institucion, në radhët e institucioneve të monitoruara, që ka bërë deklarim të kopjes së katalogut të dhuratave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023; Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Autoritetit të Konkurrencës gjatë periudhës së monitorimit nuk kanë pranuar asnjë dhuratë të rastit apo protokollare; Ndërsa, zyrtarët e Doganës së Kosovës gjatë periudhës së monitorimit kanë pranuar vetëm 1 dhuratë protokollare. Sipas përgjigjes së zyrtarëve të Doganës së Kosovës, kjo dhuratë është vendosur në këndin e dhuratave në Doganën e Kosovës. Megjithatë, kopja e katalogut të dhuratës së pranuar nuk është deklaruar në APK, në periudhën e paraparë.
Dihet se agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në bazë të nenit 26 të Ligjit për Deklarimin e Dhuratave dhe Pasurisë, obligohet të inspektoj institucionet në lidhje me raportimin dhe regjistrimin e dhuratave. Ndërsa sipas të dhënave të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, gjatë vitit 2023 Agjencia ka vizituar dhe inspektuar vetëm 13 institucione publike.
Bazuar në gjetjet e këtij raporti, Lëvizja FOL jep këto rekomandime, disa nga të cilat janë që APK-ja të rris numrin e institucioneve të inspektuara përtej 13 institucioneve që janë vizituar gjatë vitit 2023. “Kjo do të ndihmojë në përmirësimin e mbikëqyrjes dhe në sigurimin që të gjitha institucionet publike të përmbushin kërkesat ligjore për raportimin dhe regjistrimin e dhuratave. Të gjitha institucionet të dërgojnë në APK kopjet e katalogëve të dhuratave të pranuara deri më 31 mars të viti vijues, për vitin paraprak. Të vendosen mekanizma të kontrollit të brendshëm për të monitoruar zbatimin e procedurave të deklarimit të dhuratave.
Të nxitet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të pavarura dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për shkëmbimin e informacioneve dhe praktikave të mira”, është theksuar në raportin e FOL-it.