FOL NJË HERË SI KRYETAR SHTETI MORE ZOTI PRESIDENT!

17 tetor 2024 | 19:32

Shkruan: Luan Rama

Edhe sot asgjë nuk qe ndryshe. Përsëri dhunë. Dhuna e të enjtes! Kuvendi nuk u mblodh. Kuvendaret dhe kuvendarët u përplasën sërish. U shanë e u zunë. Mirë që kemi gardë dhe polici. Pas gardhit të tyre pushteti ndjehet i mbrojtur. Përballë tyre opozita ndjehet e kërcënuar. Paradoksi i demokracisë shqiptare, që prej kur ajo mori udhë e erdhi në këto anë.

Opozita vazhdon avazin.

E dëshpëruar prej pafuqisë së vet. Pa lidership. Pa ide. Pa vizion. Dymbëdhjetë vjet pa pushtet nuk janë pak. Ato e kanë bërë efektin.

Edhe pushteti vazhdon avazin. Vetëm me ndryshimin se këta të pushtetit kanë fuqinë. Fuqinë e pushtetit. Ani pse fuqia nuk është baraz me të drejtën. Edhe pse me shumë prej të vetëve në burg apo aty rreth e rrotull, ata vazhdojnë të mbahen pas fuqisë së pushtetit.

Historia na thotë se fuqia e pushtetit nuk të mbron përgjithmonë. Vjen një çast kur bëhet e pafuqishme. Dhe atëherë polici e gardisti të lenë, të braktisin.

Dymbëdhjetë vjet në pushtet janë shumë. Edhe ato e kanë bërë efektin.

Fakti që do ditë më parë Shqipëria më në fund ia mbërriti të hapë disa kapituj në bisedimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, nuk ka ndryshuar asgjë në sjelljen e aktorëve politikë në Tiranë.

Dhuna ka zëvendësuar arsyen. Konflikti e përplasja fizike kanë zëvendësuar dialogun. Kanosja e kërcënimi dominon retorikën e atyre që janë zgjedhur të përfaqësojnë jo vetëm vullnetin, por edhe mençurinë e urtinë e zgjedhësve.

Europa është ende shumë larg.

Të mos krijojmë asnjë iluzion. Nuk ka se pse të gënjejmë veten.

Europa nuk është një vend ku do të mbërrijmë. Është një standard që duhet ndërtuar. Është një cilësi që duhet bërë e jona. Është një realitet që duhet krijuar këtu. Është vlera që duhet jetësuar.

Në të gjithë këtë teatër absurd zhvillimesh kaotike e të dhunëshme në Tiranën politike, personazhi më grotesk është Presidenti i Republikës. Për të sot nuk ka ndodhur asgjë!

Me bindjen se dhuna e përplasjet mes deputetëve, me praninë mes tyre edhe të policisë e punonjësve të Gardës së Republikës do ta kishte shqetësuar edhe atë vetë, u përpoqa të gjej ndonjë qëndrim apo ndonjë mesazh të tij drejtuar forcave politike. Ose, në mos atyre, sepse mbase as e dëgjojnë e as e konsiderojnë, të paktën një mesazh qytetarëve me aq fjalë sa zakonisht ambasada e SHBA iu drejton shtetasve amerikanë kur iu thotë të qëndrojnë larg shesheve apo rrugëve ku përplasen palët, mund t’ua kishte përcjellë.

Kaq gjë mund e duhet ta bëjë dreqi ta marrë, sepse nuk është një manekin e as bufon.

Është Kryetari i Shtetit.

Dhe kur tjetër duhet të shfaqet me qëndrimet e mesazhet e veta Kryetari i Shtetit, nëse nuk shfaqet kur deputetët zihen e ndezin zjarre kundër njëri-tjetrit?

Çfarë duhet të ndodhë më shumë se sa ndodhi sot kur punimet e Kuvendit u shndërruan në dhunë, në kanosje, në kërcënime e përleshje fizike, që Presidenti i Republikës të na dëshmojë se është?

Nuk po them të thërrasë drejtuesit e palëve në konflikt, sepse ata mbase nuk i shkojnë e del keq. Por një mesazh publik mund ta japë. Dhe në fakt duhet ta japë. Kaq është më e pakta. Kështu është edhe në rregull me Kushtetutën.

Sepse, nëse do të duhej të bënte më shumë (që në fakt do të thotë të bëjë detyrën!), duhet të  thërrasë menjëherë Ministrin e Brendshëm dhe t’i kerkojë informacion mbi gjithë sa ka ndodhur. Padyshim edhe për të qartësuar pretendimin e opozitës se një punonjës i policisë ka patur armë me vete apo nëse ka tentuar ta nxjerrë atë përballë deputetëve.

Presidenti mund të thërrasë edhe Kryetaren e Kuvendit, edhe Kryeministrin e të ndajë me to shqetësimet për gjithë sa po ndodh.

Për të njejtat arsye mund të thërrasë edhe përfaqësuesit e opozitës e të dëgjojë drejtpërdrejt nga ata se çfarë pretendimesh kanë, çfarë kërkojnë…

Por, pa pretenduar që ai të mund të ketë guximin t’i bëjë të gjitha këto, të paktën një mesazh pse të mos e japë?!

Në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës, lajmi më i fundit është lajmi i djeshëm kur ai, në Ditën Botërore të Grave të Fshatit, ishte në Savër të Lushnjes.

Sot është një ditë tjetër. Edhe pse nuk është Dita Botërore e Grave të Fshatit, Presidenti ka se për çfarë të flasë e për çfarë duhet të shprehet edhe sot.

Është koha që të flasë një herë të vetme si Kryetar Shteti.

Të paktën për të justifikuar pagën që merr, nëse nuk e ndjen për më tepër. Gjinia asnjanëse e një presidenti pa gjini, nuk është e barazvlefshme me shprehjen “heshtja është flori”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy opinionistët e Big Brother VIP Kosova 3, Olta Gixhari…