Folklori, mbrojtës i identitetit dhe kulturës shqiptare
Mr. Kosovare Krasniqi
(Mustafa Ibrahimi, “Proza gojore shqiptare nga trevat e Prilepit dhe Krushevës”. Interlingua, Shkup, 2017, f. 207)
Një kohë të gjatë prof. dr. Mustafa Ibrahimi në opinionin akademik paraqitet me tekste të shumta shkencore, kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe sociolinguistikës, por nuk është befasi të na paraqitet edhe me vepra nga fusha e folklorit, siç ndodh me librin në fjalë. Dalja në dritë e librit “Proza gojore shqiptare nga trevat e Prilepit dhe Krushevës (2017)” jo vetëm se e pasuron folkloristikën shqiptare, por na sjell një material folklorik nga një trevë të skajshme të vendbanimeve shqiptare.
Vlen të theksohet se ky është libri i dytë i autorit me materiale folklorike, kurse libri i parë titullohej “Thesari folklorik nga rajoni i Pelagonisë (2003)” dhe kryesisht përmban lloje të ndryshme të këngëve popullore të kësaj treve. Këta libra kanë një peshë të veçantë sepse në njëfarë mënyre proza dhe lirika kompletohen midis vete dhe paraqesin tërë thesarin e krijimtarisë gojore të kësaj ane të izoluar dhe të skajshme shqiptare.
Kur autori më besoi të isha pjesë e librit të tij, e kisha vështirë të pranoj, por nga pozita e recensuesit më lejohet të shpreh opinionet e mia mbi peshën që mban kjo vepër e munguar për folkloristikën shqiptare të këtij rajoni, por edhe studimet albanologjike në përgjithësi. Ajo që si kritike letrare më le përshtypje është interesi i autorit për gjuhën dhe traditën materiale dhe shpirtërore, si thesar i çmuar i një populli. Autori me këto dy libra dëshmon se rrjedha e historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare vazhdon të ecë me hapa të sigurta dhe me këto dëshmi lehtë mund të përcillet brez pas brezi. Këtë entuziazëm kaq të madh sigurisht ia ka mundësuar dashuria jo vetëm për traditat, zakonet, doket, lojërat etj. por për ta mbledhur dhe njohur edhe më leksikun e pasur gojor dhe karakteristikat e kësaj të folmeje.
Ky portretizim i prozës gojore të Prilepit dhe Krushevës me epitetin “thesar i paçmuar” nuk është i rastit sepse shumë nga këto zhanre, si: mesele, përralla, temsile (kallëzime), legjenda, lojëra popullore etj. nuk përdoren më, po zhduken dhe harrohen. Autori Ibrahimi i lidhur me botën e rrëfenjave të vendasve të tij, pasurinë shpirtërore të trashëguar brez pas brezi dhe për të na njohur dhe gjuhën e paraardhësve të tij, arriti që mundin shumëvjeçar për mbledhjen e tyre në një libër të vetëm, ta realizonte në vitin 2017 me titull: “Proza Gojore shqiptare nga trevat e Prilepit dhe Krushevës”, që shtrihet në 207 faqe.
Libri është organizuar në 10 kapituj, duke i paraqitur me numër rendor rrëfimet e ndryshme. Përbëhet nga këto pjesë: Hyrje, I. Libri përveç përmbajtjes dhe parathënies, përmban edhe kapituj, si: Përralla, temsile (kallëzime), legjenda, anekdota, ngjarje historike, lojëra popullore, fjalë të urta dhe fraleogjizma, gjëegjëza, besëtytni, dhe në fund autori na flet për karakteristikat të cilat e veçojnë të folmen e Prilepit dhe Krushevës.
Vëllimit i prin një hyrje sintetike, në të cilën autori sjell disa nga arsyet, pse kërkimet në fushën e folklorit, përkatësisht prozës gojore janë të rëndësishme jo vetëm për folklorin dhe brenda saj prozën gojore, por edhe për disa nga përbërësit e tjerë historik dhe etnik të popullit, që e përdor dhe e ruan këtë pasuri mbarëkombëtare. Deri më tani nuk kemi pas ndonjë studim të prozës gojore të kësaj treve, përveç një studimi për lirikën gojore në vitin 2003”, pra, ai del sikur një “akullthyes” i cili vazhdon të gërmoj në gjurmët e gjuhës së të parëve të tij. Historia, gjuha dhe jeta e gjallë në vendbanimet shqiptare të trevës së Prilepit dhe Krushevës, e bëri autorin që përveç shpirtërisht, kësaj treve t’i përkushtohet edhe intelektualisht.
Ndërkaq në kapitullin e parë “Përralla” autori na paraqet 15 përralla në të folmen origjinale të vendasve. Përrallat siç e dimë janë gojëdhëna të cilat janë bartur brez pas brezi, por që pothuajse me të njëjtën intensitet vazhdojnë edhe tash të mblidhen, por në mënyrën e të shkruarit dhe të botuarit. Duke u mbështetur në motive dhe subjektet e tyre, përrallat përmbajnë tema patriotike, sociale, folklorike e mitologjike të vjetra disa shekuj, por të trashëguara brez pas brezi.
Duke e ditur se letërsia ndërtohet me anë të gjuhës, autori Ibrahimi na jep edhe letërsi nga pozita e një gjuhëtari. Duke futur edhe kapitullin e përrallës këtu, na jep të kuptojmë që edhe pse rrëfimet e përrallës kanë në brendësi të kaluarën e largët, në subjektin e tyre shpaloset një realitet i cili edhe sot e kësaj dite ende është aktual. Përralla “Kush punon an” si temë qendrore ka përshkrimin e pasojave që sjell përtacia. Nusja e sapomartuar, një vajzë e lazdruar në shtëpinë e të atit, mendon që edhe në shtëpinë e burrit, vazhdohet me të njëjtat avaze. – Mas dasmes\ të gjith njerëzit u rroken për paunet e përditshme qish i kishin\\Erdhi dreka\vjeri i shpajs e dajti buken\ për të gjith njerëzit qish kishin punau\ sallde Anaifes nauk i dha\\ vjera tha\ nauses buk\vjeri tha\ Anaifes nuk i ajet buk\\Erdhi dreka\\nis oj gjajti\ ene per dark Anifes nauk i dhan buke\\ (27).
Populli si autor i shumë rrëfimeve nga më të ndryshmet, gjithnjë përrallave u ka gjetur një përfundim sa më origjinal më bindës dhe me një fund të lumtur. Andaj edhe në këtë rast në përrallë është dhënë një fund i lumtur sepse vajza përtace, bëhet nusja më e zonja kur e kupton që pa punuar s’ka edhe çfarë të hajë. Dhe duke iu përmbajtur kritereve të gjuhës, gjuha e përdoruar në librin e Mustafa Ibrahimit del e natyrshme tek personazhet e përrallës, ashtu sikurse sikur se ishte në të vërtet rrëfimi oral tek populli i kësaj treve. – “Të nesërmen Anaifja u qujt ernet\i moli lopet\ u dha uj\ e mshaini oborin\ ene gatayti buk për drek\ kaur erdhi dreka\ vjeri anaifes ja dajti copen ma t’madhe t’bukes\\ (27). Po e njëjta përrallë, e cila është në libër, tregohet edhe në pjesët tjera shqiptare, si mund të marrim shembull, tek ne, në Kosovë, por me një variant tjetër të gjuhës.
N
ë kreun III janë temsilet (kallëzimet) me gjithsej 15 kallëzime që janë mbledhur nga goja e popullit të këtij rajoni. Veçori konkrete e librit është përdorimi i gjuhës, të folmes së popullit duke lënë anash shumë gjuhën letrare shqipe të njehsuar. Autori e bën me vetëdije këtë sepse njeriun dhe realitetin shqiptar të trevës së tij e parqet pikërisht përmes gjuhës, folklorit dhe problemeve të tij që has në jetë.
Subjekti i anekdotave të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të librit 80 anekdota, janë ato të cilat duke i studiuar më afër vëren se brenda subjektit të tyre konkretizohet natyra e njeriut, psikologjia e tij, mentaliteti, kultura, botëkuptimi e temperamenti. Mënyra e thurjes së tyre në libër është e shkruar ashtu sikur është dalë nga gjuha e popullit të kësaj treve dhe nuk është ndërruar asgjë nga ritmi i rrëfimit të pleqve.
Nj’onin e kan payt:
Pi kujt ke frak ma shaum ,pi ati qish i ke najat apo pi ati qis si ke najat?
Ky thot:-Nauk kaum gajle pi kti ci asni t’majr nauk im kum bomen, po pi ati qish i kum najft!(76)
Dhe më tej:
Fjalë të urta:
“As per kish, as per xhamai”, “bom bab, tët gjaj”, “qish ka nzemer , diften”
Në këtë hapësire gjeografike, studiuesi Ibrahimi punoi për dy dekada me radhë, mirëpo, i vëmendshëm dhe i ndjeshëm gjatë ecurisë së tij të punës, edhe në vitet që pasuan ai do të vijoj punën e tij studiuese, ndonëse, vërehet se prozat gojore, janë të mbledhura me intervale kohore prej 24 vitesh (1993-2017).
Nga regjistrimi i legjendave, përrallave, anekdotave, fjalëve të urta, tregimeve historike vërejmë se autori i gjurmon, i qartëson dhe e përshkruan në librin e tij, nuk gaboj kur them se ai ndoqi një rrugë të drejtë me kritere shkencore kur interesat e tij shtrihen edhe në fushën e studimit të folklorit sepse siç thotë edhe vet autori i librit:“konsiderojmë se ky studim nga jeta materiale dhe shpirtërore e popullatës së këtij rajoni do të jetë mjaft i dobishëm për folklorin shqiptarë, si edhe etnolinguistikën, leksikologjinë, dialektologjinë, interferencën gjuhësore, dygjuhësinë, sociolinguistikën etj. (6)
Ndërsa, sa i përket kapitullit të fundit “Karakteristikat e të folmes së Prilepit dhe Krushevës” autori na informon se popullata shqiptare e rrethit të Prilepit, përbëhet nga gjashtë fshatra, ndërsa popullata e rrethit të Krushevës përbëhet nga tetë fshatra me popullsi shqiptare. Dhe, meqë është fjala për rrethin e tij të lindjes, (fshati Cernilishtë e Prilepit), ai është i ambientuar me ta, me fshatarët e tij, me të folmen e tyre, zakonet, doket e tyre etj., Studiuesi Ibrahimi, duke e studiuar nga afër këtë të folme, vije në përfundim se: “Në bazë të materialet të paraqitur mund të përfundohet se e folmja e shqiptareve të dhe Krushevës i përket grupit dialektor të gegërishtes qendrore dhe si e tillë çdo herë ka mbajtur lidhje të përhershme me të folmet tjera, të ngjashme të këtij grupi. Por kjo të folme me disa tipare dialektore toske, mund të radhitet edhe si e folme kalimtare”.
Përfundim
Nga pozita e recensuesi që me përgjegjësi u thellova në vlerësimin e këtij botimi, konstatoj se komponimi i librit është zhvilluar me njohuri të larta profesionale. Duke të cekim se ka ende për tu mbledhur si nga proza gojore ashtu edhe nga lirika gojore.
Mbështetur në metoda të rrepta dhe objektive shkencore, me prova të pakundërshtueshme me këto tregime popullore, autori tregon të vërtetën dhe lashtësinë e popullit tonë dhe të gjuhës së tij në trojet e veta që i banon sot e ku ka banuar dikur, së paku që nga antikiteti.
Për strukturën gjuhësore dhe stilistike të librit, autori jep një pasqyrë të përgjithshme dialektore, ku i përshkruan vijat e përgjithshme fonetike, morfologjike dhe leksikore të të folurit të trevës së Prilepit dhe Krushevës.
Marrë në tërësi, libri në brendësinë e vet përveç që na sjell zhanre të ndryshme të prozës popullore, na pasqyron të folmen e atij rajoni, gjithashtu ai na njeh me një mori rrëfimesh me një leksik të veçantë krahinorë e dialektor, duke e njohur lexuesin me kulturën, doket, zakonet, lojërat popullore etj. karakteristike për këtë rajon. Ndërsa autori Mustafa Ibrahimi me këtë vepër të rëndësishme shkencore, e pasuruan folkloristikën shqiptare në përgjithësi dhe prozën popullore shqiptare në veçanti.