Fondacioni “Agim Lluka” dhuron libra të përzgjedhur për Bibliotekën e Prizrenit
Aktiviteti i përvitshëm i Fondacionit “Agim Lluka” që realizohet me 15 shtator ka vazhduar të hënën me dhurimin e librave të përzgjedhur për Bibliotekën e qytetit të Prizrenit.
Drejtuesit e kësaj biblioteke kanë mirëpritur pasurimin e fondit librar me tituj të ndryshëm, dedikuar të gjitha gjeneratave.
“Për neve si Bibliotekë çdo libër që vjen është më se i mirëseardhur. Por kur vijnë në këtë formë, pra si dhuratë, dhe me qëllimin e përkujtimit të kontributit të çmuar, të një personaliteti si Agim Lluka i ndjerë, atëherë na nderojnë jashtëzakonisht shumë. Sepse kësisoj vazhdohet porosia e një personi që e ka dashur librin dhe ka mbështetur të rinjtë. Shpresojmë që të kemi edhe bashkëpunime tjera me këtë fondacion”, ka thënë drejtoresha e Bibliotekës së qytetit, Sahadete Sadikaj-Kukaj.
Sipas saj ky fond librar do të shërbejë për nxitjen e interesimit të fëmijëve e të rinjve për librin.
“Qëllimi i Bibliotekës është nxitja e interesimit për lexim tek të gjitha grupmoshat dhe në kuadër të këtij donacioni ka libra të kategorive të ndryshme, duke filluar nga ato dedikuar fëmijëve. Shpresojmë se edhe ky fond librar do të jetë një kontribut që të nxiten fëmijët dhe të rinjtë të lexojnë sa më shumë”, ka deklaruar Sadikaj-Kukaj.
Ndërkaq drejtoresha e Fondacionit, Lemane Lluka ka sqaruar se dhurimi i këtyre librave është vazhdimi i traditës në kujtim të përpjekjeve e idesë së Agim Llukës për të afruar librin tek fëmijët.
“Çdo vit, më datën 15 shtator, dhurohen libra për shkak të idesë së të ndjerit që libri të vijë sa më shpejtë tek fëmijët e nxënësit, që ata të lexojnë dhe të arrijnë sa më shumë suksese. Pa lexim vështirë se mund të arrihen suksese të mëdha. Me këtë aktivitet ne po e vazhdojmë idenë e Agim Llukës, pasi secili libër ka vlerë”, ka thënë ajo, duke shpjeguar se librat e dhuruar i dedikohen moshave të ndryshme, prej fëmijëve e deri te të rriturit.
Agim Lluka ka ndërruar jetë në tetor të vitit 2021. Ai ka kontribuar në zhvillimin e jetës letrare, arsimore e kulturore edhe në sistem paralel, duke e vënë shtypshkronjën “Dukagjini” në shërbim të institucioneve të Kosovës gjatë kohës së okupimit.
Fondacioni “Agim Lluka” është krijuar për të nderuar dhe vazhduar misionin e tij, që gjithmonë është bazuar në mbështetje dhe avancim të gjeneratave të reja.