Fondacioni i Odës Amerikane do ta mbështesë Klinikën Pediatrike në vitin 2019
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mbajtur Gala Darkën e saj tradicionale të Bamirësisë, përmes të cilit biznese nga sektorë të ndryshëm dhuruan fonde për të ofruar mbështetje financiare për renovimin e hapësirave të Klinikës Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), si dhe për shoqatat e personave të verbër.
Përveç kompanive anëtare të Odës Amerikane, të pranishëm në këtë ngjarje bamirësie ishin ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, shefja e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Ndërsa, ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Lorik Cana, ishte folës nderi në këtë ngjarje tradicionale, i cili përveç se përgëzoi Odën Amerikane për aktivitete të tilla të bamirësisë, foli edhe për Fondacionin e tij LC5, i cili synon mbështetjen e të rinjve për përfshirje në sport.
Fondacioni i Odës Amerikane arriti të mbledhë 36,550 euro, fonde të cilat do të shfrytëzohen për renovimin e hapësirave spitalore të Klinikës Pediatrike të QKUK përmes pajisjeve më moderne, si dhe për shoqatat e personave të verbër. Kompanitë anëtare që iu bashkuan kësaj iniciative të Odës Amerikane janë Coca-Cola HBC Kosova, Gjirafa Inc, Meridian Corporation, Devolli Corporation, Limak Kosovo, NLB Banka, Klinika Amerikane, KEDS, Banka për Biznes (BPB), Scardian, HIB Corporation, Orbi-Co, Proex, Railtrans, FINCA Kosovë, SCAMPA, Boga & Associates, Innovation Center Kosovo (ICK) dhe Banka TEB.
Fondacioni i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë në të kaluarën ka mbështetur edhe kauza të tjera të rëndësishme si përmirësim i kushteve të shkollave fillore nëpër vendbanime rurale të Kosovës, organizatave që përfaqësojnë personat e verbër, ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha, mbështetjen e organizatës “ATOMI” që mbledh fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme, organizatën “Down Syndrome Kosova”, Aksionin për Nëna dhe Fëmijë, Klinikën Pediatrike, Fshatin e fëmijëve “SOS”, e shumë të tjera, Fondacionin për Edukimin e Vajzave “Çifti Buçinca”, duke kontribuar në të njëjtën kohë edhe në qëndrueshmërinë afatgjate të këtyre organizatave.
/Epoka e re/