Fondacioni Jahjaga lanson projektin për avancimin e grave në qeverisje
Fondacioni Jahjaga ka prezantuar të mërkurën projektin me temën “Roli i medieve në avancimin e pjesëmarrjes së grave në qeverisje”, i cili është përkrahur nga ATRC dhe USAID.
Ky projekt parasheh realizimin e dy trajnimeve në fushën e avokimit dhe të folurit publik me gra në pozita udhëheqëse dhe gra nga kuvendet komunale të tri komunave (Prizren, Shtërpcë e Ferizaj), si dhe trajnime me gazetarë për raportimin gjinor në mënyrë që të rritet vetëdija shoqërore për rolin e grave dhe të luftohen stereotipet gjinore.
Me këtë rast, ish-presidentja Atifete Jahjaga, në fjalën e saj hyrëse është fokusuar në rolin e gruas në pozita vendimmarrëse, duke theksuar nevojën që gratë të jenë të përfaqësuara denjësisht në politikë.
Kurse, kryetarja e grupit të grave deputete në Kuvendin e Kosovës, Mexhide Mjaku – Topalli, ka vënë në pah arritjen e barazisë gjinore si kruciale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe funksionimit të demokracisë.
Ndërsa, përfaqësueset e zërit të grave lokale, Kristina Gashi – Bytyçi, kryesuese e kuvendit komunal të Ferizajt dhe Sadije Jakupi, kryesuese e grupit joformal të grave në Prizren kanë prezantuar sfidat që kanë në komunat respektive dhe vullnetin e përditshëm për avancimin e pozitës së gruas.
/Epoka e re/