Fondet e BE-së për Ballkanin, 1.07 miliardë euro në 2018
Komisionit Evropian në Strategjinë e publikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, vlerësoi se Shqipëria është vend kandidat dhe në bazë të kushteve të përmbushura, Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë një rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Nga këndvështrimi ekonomik, statusi i Shqipërisë si vend kandidat i BE-së (2014) ka inkurajuar investimet e huaja dhe, si rezultat, ka sjellë rritjen e vendeve të reja të punës. Zgjerimi dhe rritja e angazhimit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor është një perspektivë e besueshme. Llogariten 8.9 miliard euro të investuara gjatë periudhës 2007-2017. Ndërsa 1.07 miliardë euro janë të parashikuara për vitin 2018.
Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Ballkanit Perëndimor Sipas statistikave të publikuara nga Bashkimi Evropian në Shqipëri, totali i tregtisë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2016 llogaritet 43 miliardë euro. Potenciali ekonomik i marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor është i madh, shkruan “atsh”. Kompanitë e Bashkimit Evropian janë investitorët më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor. Shënohen mbi 10 miliard euro investime të huaja direkte gjatë pesë viteve të fundit. Ballkani Perëndimor është një treg me rreth 18 milionë konsumatorë dhe potenciali i ardhshëm ekonomik shihet te rritja e shpejtë ekonomike e vendeve si dhe te një kërkese e brendshme më e lartë.
Instrumenti për Para Anëtarësim i mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në përgatitjet e tyre për anëtarësim dhe lehtëson bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar. Fondet e para-anëtarësimit të BE-së janë një investim i shëndoshë për të ardhmen e vendeve të zgjerimit dhe vetë BE-së. Ato ndihmojnë përfituesit të bëjnë reforma politike dhe ekonomike, duke i përgatitur ata për të drejtat dhe detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE. Këto reforma u japin qytetarëve të tyre mundësi më të mira dhe lejojnë zhvillimin e standardeve të barabarta me ato që gëzojnë qytetarët e BE-së. Fondet e para-anëtarësimit gjithashtu ndihmojnë BE-në të arrijë objektivat e veta në lidhje me një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike, furnizimin me energji, transportin, mjedisin dhe ndryshimet klimatike, etj.
Financimet nga instrumenti për asistencë para anëtarësimit do të përshtaten edhe më shumë me nevojat e vendeve. IPA: Instrumenti për asistencë para-anëtarësimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në ‘vendet e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike. Fondet e IPA- tani në periudhën e dytë të saj – zhvillojnë kapacitetet e vendeve gjatë gjithë procesit të pranimit, duke rezultuar në zhvillime progresive dhe pozitive në rajon.
Bashkimi Evropian, ka riafirmuar mbështetjen e tij pa ekuivok për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa javën e parë të muajit shkurt, Komisioni Evropian shpalosi strategjinë e re për një perspektivë të besueshme për zgjerim dhe angazhim të shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar të ardhmen evropiane të rajonit si investim gjeostrategjik për një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar.