Fondet e gjykatave të sheriatit në Arkivin e Kosovës dhe rëndësia e tyre
Dr. Sadik Mehmeti
Përmbledhje
Në Kosovë, e cila dhunshëm një herë kishte mbetur në kuadër të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918-1929), më pastaj të Mbretërisë Jugosllave (1929-1941), banorët e konfesionit mysliman çështjet nga domeni i statusit të tyre personal, më pastaj nga e drejta familjare, nga e drejta e trashëgimisë dhe çështjet që lidheshin me institucionet e vakëfeve (legatave), i kanë zgjidhur përmes rregullave të së drejtës së Sheriatit. Për këtë arsye qenë organizuar edhe organet e veçanta shtetërore – gjykatat e Sheriatit, të cilat, në të vërtetë, ishin pjesë e gjykatave shtetërore dhe kishin ngjashmëri me to. Këto gjykata janë themeluar edhe në vendet e tjera në kuadër të këtij sistemi e që kishin popullsi të konfesionit mysliman, si në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Ekzistonin gjykatat e Sheriatit të rretheve ose të shkallës së parë dhe gjykatat e shkallës së dytë apo gjykatat Supreme të Sheriatit.
Aplikimi i së drejtës së Sheriatit në Kosovë qoftë edhe më herët gjatë sundimit osman, qoftë edhe midis dy luftërave botërore, deri më sot nuk ka qenë temë studimi nga studiuesit tanë, megjithëse kjo e drejtë është aplikuar në një periudhë të gjatë. Ende ekziston një numër i madh i dokumenteve që kanë të bëjnë me këtë fushë.
Vetëm në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ruhen disa fonde me mijëra dokumente të hartuara nga kancelaritë e gjykatave të Sheriatit të cilat kanë vepruar në Kosovë midis dy luftërave botërore dhe të cilat dokumente shumë pak janë hulumtuar dhe nuk janë marrë në shqyrtim.
Nëpërmjet këtij punimi synoj të paraqes disa të dhëna pikërisht nga këto dokumente dhe nga burime të tjera për rolin dhe veprimtarinë e këtyre gjykatave, si dhe t’i paraqes edhe fondet e këtyre gjykatave që ruhen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Fjalët çelës: Kosova, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës, Fondet arkivore, e drejta e Sheriatit, gjykatat e Sheriatit, organizimi, rregulloret
HYRJE
Tri janë arsyet kryesore që më kanë shtyrë të përcaktohem për këtë temë. E para, sepse gjatë punës time prej rreth dy dekadash në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK) kam vënë re se këto fonde që ruhen në Arkivin e Kosovës nuk kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Më pastaj edhe gjatë hulumtimeve të mia nëpër literaturë kam parë se këto gjykata nuk kanë qenë fushë me interes për studiuesit tanë as më herët dhe as më vonë. Më herët jo, mbase, na thotë mendja, për shkak të emrit që kanë pasur këto gjykata, pra gjykatat e Sheriatit, që në njëfarë mënyrë ky emër ka asociuar në një institucion fetar islam (që, në të vërtetë, nuk janë plotësisht ashtu) e që për kohën s’ka qenë emër shumë i përshtatshëm andaj, si të tilla, s’janë parë si të arsyeshme për t’u studiuar.
Arsyeja e dytë është fakti se këto fonde që ruhen në AShAK përfshijnë një numër të madh të dokumenteve që kanë një përmbajtje interesante dhe me shumë rëndësi dhe që bëjnë fjalë dhe ndriçojnë një numër çështjesh të ndryshme e me interes për aplikimin e të drejtës në Kosovë dhe jo vetëm midis dy luftërave botërore.
Dhe arsyeja e tretë është se përmes këtij shkrimi synoj t’ua bëj me dije hulumtuesve, studiuesve, historianëve të së drejtës juridike dhe të tjerëve jo vetëm përmbajtjen dhe rëndësinë e këtyre fondeve arkivore që ruan AShAK, por edhe rolin që kanë pasur këto gjykata në kohën kur kanë vepruar.
Para se t’i përmendim fondet që ruajnë këso lloj dokumentesh në AShAK, e gjejmë me vend të shpjegojmë se çfarë kanë qenë gjykatat e Sheriatit, përse janë themeluar ato dhe çfarë funksione kanë pasur.
Në Kosovë, e cila një herë dhunshëm kishte mbetur në kuadër të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918-1929), pastaj të Mbretërisë Jugosllave (1929-1941), banorët e konfesionit mysliman çështjet nga domeni i statusit të tyre personal, më pastaj nga e drejta familjare, nga e drejta e trashëgimisë dhe çështjet që lidheshin me institucionet e vakëfeve (legatave), i kanë zgjidhur përmes rregullave të së drejtës së Sheriatit, prandaj dhe për këtë arsye qenë organizuar edhe organet e veçanta shtetërore – gjykatat e Sheriatit, të cilat, në të vërtetë, ishin pjesë e gjykatave shtetërore dhe kishin ngjashmëri me to. Këto gjykata janë themeluar edhe në vendet e tjera në kuadër të këtij sistemi e që kishin popullsi të konfesionit mysliman, si në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Ekzistonin gjykatat e Sheriatit të rretheve ose të shkallës së parë dhe gjykatat e shkallës së dytë apo gjykatat Supreme të Sheriatit.
Në Kosovë, midis dy luftërave botërore, për shkak të rrethanave shoqërore-historike, aplikimi i së drejtës së Sheriatit duhet vështruar e ndarë në dy periudha:
- Periudha midis viteve 1918-1929, që karakterizohet për ruajtjen e gjendjes ekzistuese në aplikimin e së drejtës së Sheriatit dhe për institucionin e myftinive; dhe
- Periudha 1929-1941, që fillon me nxjerrjen e Ligjit mbi rregullimin e gjykatave të Sheriatit dhe mbi gjykatësit e Sheriatit.
- Periudha midis viteve 1918-1929
Sikurse dihet, me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, më 1 dhjetor 1918, u formua shteti i ri jugosllav, i cili zyrtarisht u quajt “Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve”, në kuadër të të cilit u gjend edhe Kosova. Me konstituimin e pushtetit të kësaj mbretërie filluan të konstituoheshin edhe bashkësitë fetare, pra edhe Bashkësia Fetare Islame, që kishte statusin e fesë së pranuar dhe të njohur me të drejta jo të barabarta me fenë ortodokse, që ishte feja zyrtare e kësaj mbretërie, dhe as me fenë e krishterë, që mbante lidhje të përhershme me Vatikanin.[1]
Bashkësia Fetare Islame (BFI) arriti të kishte statusin si fe e pranuar në këtë mbretëri jo pse kështu deshi pushteti i atëhershëm, por sepse çështja e myslimanëve në mbretërinë e përbashkët të serbëve, kroatëve e sllovenëve qe ngritur në disa konferenca ndërkombëtare, sidomos në Konferencën e Sen Zhermenit më 10 shtator 1919, ku Fuqitë e Mëdha e obligonin Mbretërinë e SKS-së që paraprakisht dhe pa kurrfarë kufizime t’i pranonte të gjitha dispozitat e marrëveshjes të cilat fuqitë kryesore i shihnin të arsyeshme për mbrojtjen e pakicave.[2] Pas një debati të gjatë qe arritur një marrëveshje e posaçme ndërkombëtare lidhur me pozitën e myslimanëve si pakicë fetare. Me këto marrëveshje të gjithë banorët myslimanë të përfshirë në këtë mbretëri (SKS) (shqiptarët, boshnjakët, turqit etj.) gëzonin statusin e pakicës fetare.[3]
Sipas nenit 51 të kësaj marrëveshjeje, shteti i serbëve, kroatëve e sllovenëve detyrohej që sa më parë dhe pa ndonjë pengesë t’i pranonte kushtet që kishin vënë Fuqitë e Mëdha për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Mbretëria SKS për myslimanët kishte marrë këto obligime:
- Të rregullonte statusin familjar dhe personal të myslimanëve dhe të nxirrte dispozita të cilat lejonin që çështjet e tilla të rregulloheshin sipas zakoneve myslimane;
- Të merrte masa për emërimin e reis-ul-ulemasë (udhëheqësit suprem të myslimanëve);
- Të siguronte mbrojtjen e xhamive, varrezave dhe institucioneve të tjera të myslimanëve; të jepte lehtësime dhe të njihte plotësisht pasuritë ekzistuese të lëna me testament (vakëfet dhe institucionet bamirëse fetare), si dhe të themelonte institucione të reja fetare e bamirëse.[4]
E, megjithëkëtë, në kuadër të kësaj mbretërie, myslimanët u vunë në pozitë shumë të papërshtatshme. Qeveria në mënyrë të përhershme i shmangej përmbushjes së obligimeve që dilnin nga marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Kësisoj, edhe pse puna e gjykatave të Sheriatit qe pranuar, rregullimi i statusit të tyre juridik zvarritej për shumë vjet, sidomos në Serbi dhe në Mal të Zi, aty ku bënin pjesë shqiptarët.
Duke qenë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës, shqiptarët e besimit islam, bashkë me pjesëtarët e nacionaliteteve të tjera të besimit islam, nën udhëheqjen e Ferat bej Dragës, më 17.12.1920, në Shkup, organizojnë një kongres, në të cilin miratohet edhe një rezolutë prej 10-pikash, ndër të tjera, edhe për formimin e gjykatave të Sheriatit në fushën e marrëdhënieve martesore dhe trashëgimore, por asnjëra nga këto kërkesa nuk u morën parasysh nga ana e shtetit dhe as u pranuan.[5]
Zbatimi në praktikë i kësaj dispozite kushtetuese, pra i rregullimit të gjykatave të Sheriatit në territoret ku banonin shqiptarët, do të fillonte me Ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi rregullimin e gjykatave (21 mars 1929), i cili në pozitat kalimtare, neni 5, parashihte zbatimin e së drejtës të Sheriatit edhe në të ashtuquajturën “Serbi Jugore”, pra në Kosovë, Maqedoni dhe Sanxhak.[6]
Së këndejmi, deri në këtë kohë, pra në vitet 1918-1929, në të gjitha viset që hynin në kuadër të Kosovës, Maqedonisë dhe Sanxhakut, çështjet nga fusha martesore dhe trashëgimore në vend të gjykatave të Sheriatit, kjo kompetencë do t’u kalojë institucioneve të myftinive.
Kështu, Ministria e Fesë, me urdhrin nr. 3989/1919, kërkonte që Bashkësia e Fesë Islame të fillonte rikonstituimin dhe riorganizimin e njësive të saj administrative. Në Kosovë do të konstituoheshin tre myftini të qarqeve dhe 11 të rretheve, të cilat deri më 1929 ishin në varshmëri të Myftinisë Supreme me seli në Beograd, myfti i së cilës asokohe ishte Mehmed Zeki ef. Çinari.
Myftini të qarkut ishin[7]:
- Myftinia e Kosovës me qendër në Prishtinë, myfti i së cilës ishte sheh Mehmet ef. Sezai[8];
- Myftinia e Prizrenit me qendër në Prizren, me myfti Rrystem ef. Shportën[9];
- Myftinia e Zveçanit me qendër në Mitrovicë, me myfti Selim Sabri ef. Mujagiçin.
Myftini të rretheve ishin:
- Myftinia e Gjakovës me seli në Gjakovë, me myfti hafëz Ibrahim ef. Pallaskën[10];
- Myftinia e Gorës me seli në Vranisht, me myfti Rasim ef. Selmani – Krasniqin[11];
- Myftinia e Vuçitërnës me seli në Vuçitërnë, myfti Hysni ef. haxhi Muharremin;
- Myftinia e Nerodimës me seli në Ferizaj, myfti Bajram ef. Ademin;
- Myftinia e Pejës me seli në Pejë, myfti haxhi Hasan ef. Hysniun;
- Myftinia e Podgorës me seli në Suharekë, myfti?;
- Myftinia e Podrimës me seli në Rahovec, myfti Musa ef. Nijazi Shehun;
- Myftinia e Kaçanikut me seli në Kaçanik, myfti Numan ef. Mehmetin;
- Myftinia e Gjilanit me seli në Gjilan, myfti Jusuf ef. Zijain;
- Myftinia e Drenicës me seli në Llaushë, myfti Mehmet ef. Rexhepin;
- Myftinia e Llapit me seli në Sibovc, myfti Jahja ef. Halimin.[12]
Formimi i myftinive dhe organizimi i tyre në vendin tonë kishte filluar në pjesën e dytë të shek. XVI, atëherë kur feja islame këtu mjaft ishte përhapur dhe forcuar[13], prandaj formimi i myftinjve midis dy luftërave botërore nuk mund të trajtohet i ndarë nga periudhat paraprake, sikundër që gjatë periudhës osmane kishin ekzistuar edhe gjykatat e Sheriatit.[14]
Detyra kryesore e myftinjve ka qenë të jepnin fetva – vendime juridike për çështje të ndryshme.Fetvatë jepeshin në formë të prerë dhe përmbanin vetëm pyetjet dhe përgjigjet konkrete.[15]
Në Kosovë janë ruajtur, aty-këtu, shumë nga këto fetva të myftinjve të ndryshëm, të cilat për juristët paraqesin material tërheqës. Shumë fetva të myftinjve tanë gjenden në dorëshkrim e në përmbledhje të ndryshme orientale dhe në dokumente të kohës, të cilat i kanë vënë myftinjtë e njohur, shumica e të cilave ruhen në AShAK.
Pas largimit të Perandorisë Osmane nga trojet tona, sikurse u tha, bëhet emërimi i myftiut suprem i Mbretërisë SKS, i cili përfaqësonte pushtetin më të lartë fetar islam në territorin e kësaj mbretërie dhe instancën e dytë në çështjet e interpretimit dhe aplikimit të së drejtës të Sheriatit, kurse myftinjtë ishin pushteti më i lartë fetar dhe sheriato-gjyqësor në rajonin e tyre. Ata njëkohësisht kryenin edhe mbikëqyrjen mbi administratën e vakëfit. Kosova nga viti 1918 deri më 1929, u mor vesh, ishte në kuadër të Myftinisë Supreme të Beogradit.
Në periudhën e Mbretërisë SKS në dokumente vërehet se shumica e fetvave të asaj kohe bëheshin – jepeshin në dy gjuhë – osmanisht dhe serbisht (në gjuhën shqipe as që bëhej fjalë). Kjo sepse myftinjtë tanë të asaj kohe kishin mbaruar shkollat islame – medresetë në gjuhën orientale, andaj të shumtët nuk e zotëronin gjuhën zyrtare të asaj mbretërie, pra gjuhën serbe. Vendimet e tyre ata i shkruanin në gjuhën osmane, kurse palët e interesuara ato vendime i përkthenin zyrtarisht në gjuhën serbe pranë organeve shtetërore. Kjo dhe të tjera arsye kanë bërë që në disa myftini sekretarë të emëroheshin personat që nuk ishin myslimanë dhe nuk njihnin të drejtën e Sheriatit dhe as praktikën e gjykatave të Sheriatit, por që zotëronin gjuhën serbe.[16]
- Periudha midis viteve 1929-1941
Kjo periudhë fillonte me nxjerrjen e ligjit për rregullimin e gjykatave dhe gjyqtarëve të Sheriatit, datë 21 mars 1929, dhe vazhdoi deri më shkatërrimin e Jugosllavisë së atëhershme.
Ç’është e drejta, me vendosjen e diktaturës më 6 janar 1929 u goditën rëndë edhe interesat e Bashkësisë Fetare Islame (BFI), e cila, në të vërtetë, humbi edhe atë pak autonomi që kishte deri atëherë, me qëllim që organizimi i saj të harmonizohej me unitarizmin absolut të jetës politike dhe publike në Mbretërinë e Jugosllavisë.[17] Kështu, më 5 shkurt 1931 ministri i Drejtësisë shpalli dekretligjin mbi rregullimin e përkohshëm të BFI-së, sipas të cilit, pushteti i BFI-së përqendrohej në duarte kësaj ministrie. Kjo vlente sidomos për viset që ishin në vartësi të Myftinisë Supreme të Beogradit – Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Që nga suprimimi i kësaj myftinie e deri me konstituimin dhe me fillimin e funksionimit të Ulema-mexhlisit me seli në Shkup, datë 18 korrik 1930, si organ drejtues dhe mbikëqyrës i të gjitha organeve të BFI-së për viset e sipërpërmendura, punët e kësaj myftinie për këto territore i kryente vetë ministri i Drejtësisë.Kështu, më 21 mars 1929 nxirretLigji mbi Gjykatësitdhe Gjykatat e Sheriatit, e mëtë bëhej edhe suprimimi i myftinive, me punën e të cilave më tutje ngarkoheshin gjykatat e Sheriatit.
Ç’është e vërteta, më 1930 funksioni i myftiut rregullohet në mënyrë unike dhe myftinjtë zgjidhen sipas dispozitave të ligjit të veçantë mbi zgjedhjen e reisul-ulemasë, kurse emërohen me dekretin e mbretit. Në atë kohë në tërë territorin e Jugosllavisë së vjetër ishin caktuar nëntë seli të myftinive: në Sarajevë, Mostar, Banjallukë, Tuzllë, Plevle, Novi-Pazar, Manastir, Shkup dhe në Prizren. Myftinia e Prizrenit në atë kohë kishte nën administrimin e vet pothuajse tërë territorin e Kosovës (përveç rrethit të Kaçanikut që ishte në vartësi të myftinisë së Shkupit). Myfti i fundit i Kosovës midis dy luftërave botërore ka qenë myderrizi i Medresesë “Mehmed Pasha” të Prizrenit, Nysret ef. Galipi (1883-1941), kurse zëvendës Shaqir Berberkiçi, boshnjak.
Me nxjerrjen e Kushtetutës së re të BFI-së, datë 24 tetor 1936[18], edhe këto myftini anulohen. Iniciativa për këtë kishte ardhur nga udhëheqësite Organizatës Myslimane Jugosllave, nën ndikimin e së cilës ishte punuar kjo kushtetutë. Si arsye qenë përmendur paaftësia e disa bartësve të kësaj detyre, mospunësimi i myftinjve dhe problemi i financimit. Një vendim i tillë kishte nxitur shumë reagime nga ana e ulemave të njohur të asaj kohe dhe të një pjese të qytetarëve të cilët kërkonin të ruhej ky institucion tradicional islam, por një gjë e tillë nuk dha rezultate sepse, në esencë, një hap i tillë kishte të bënte me luftën për pushtet në administratën e BFI-së ndërmjet pjesëtarëve të partive dhe drejtimeve të ndryshme politike. Pas kësaj, dhënia e fetvave i qe besuar një zyrtari të posaçëm të Ulema-mexhlisit, i quajtur fetva-emin, kurse për çështjet fetare të dyshimta e kontestuese, konsultohej një këshill i gjerë i reisul-ulemasë.[19]
Pas suprimimit të myftinive të deriatëhershme dhe mbi bazën e normave ligjore, parashihej që në çdo rreth ku kishte pasur myftini dhe në territorin e të cilit jetonin më së paku 5 000 myslimanë të formohej nga një gjykatë e rrethit të Sheriatit, e cila, në të vërtetë, paraqiste gjykatën e shkallës së parë dhe njësi të veçantë të gjykatave shtetërore të rangut të njëjtë. Kurse gjykata të shkallës së dytë dhe të fundit ishin gjykatat supreme të Sheriatit (në Sarajevë dhe në Shkup) që, po ashtu, ishin njësi të veçanta të gjykatave të apelacionit.[20]
Gjyqtarët e Sheriatit gjykonin sipas rregullave të Sheriatit. Ata i emëronte mbreti me propozimin e ministrit të Drejtësisë, kurse reis-ul-ulemaja (autoriteti suprem islam) jepte autorizimin e veçantë (“muraselene”), si argument se personi i caktuar nga pikëpamjet islame ishte i aftë për të kryer atë funksion. Reis-ul-ulemaja kishte të drejtë edhe t’i pushonte nga puna nëse vërente se ata nuk i përfillnin rregullat e Sheriatit. Gjyqtar i Sheriatit mund të emërohej çdo shtetas i Jugosllavisë i asaj kohe që ishte djalë apo burrë, që i takonte fesë islame, që kishte mbaruar Fakultetin Juridik dhe, së këndejmi, edhe kursin e Sheriatit, ose që kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit, ose që kishte dhënë provimin për gjyqtar të Sheriatit, i cili i kishte 26 vjet dhe i cili i plotësonte kushtet e tjera të parapara me ligj për të qenë në funksion shtetëror.[21]
Në një gjykatë mund të emëroheshin më shumë se një gjyqtar, po ndodhte të kishte një gjyqtar e disa ndihmës.
Në këtë kohë nisën të botoheshin shumë vepra në gjuhën serbokroate, në të cilat e drejta e Sheriatit, përkatësisht degët të cilat aplikoheshin në atë kohë, ishin lëndë shqyrtimi shkencor dhe profesional të autorëve boshnjakë. Vendimet e gjykatave pas vitit 1929 shkruheshin kryesisht në gjuhën serbo-kroate, kurse në gjuhën arabe dhe turke mund të shkruheshin në kllapa citate nga veprat profesionale dhe ligjet e hershme apo termat juridiko-teknikë. Gjykatësit gjatë shqiptimit të aktgjykimeve kanë qenë të pavarur, kurse palët janë përfaqësuar nga avokatët, sipas dispozitave për avokat, pa dallim feje.[22]
Gjykatat e Sheriatit kanë qenë kompetente për çështjet e së drejtës martesore, nëse burri ose gruaja i takonin fesë islame, ose nëse martesa ishte lidhur para gjykatës së Sheriatit, përkatësisht para personit të autorizuar nga gjykata e Sheriatit, pavarësisht nëse u takonin çështjeve pronësore-juridike apo çështjeve të tjera nga lidhja martesore; për lëndët që kishin të bënin me të drejtat e obligimet ndërmjet prindërve e fëmijëve, pavarësisht nëse u përkisnin çështjeve pronësore-juridike apo çështjeve të tjera nga raportet prindërore a farefisnore, përfshirë edhe kontestet rreth bashkëshortësisë së fëmijës; lëndët e së drejtës trashëgimore për shqyrtimin dhe ndarjen e trashëgimisë së myslimanëve, të drejtat trashëgimore dhe vlefshmëria e dispozitave të bëra me rastin e vdekjes; lëndët e kujdestarisë, vendosja e kujdestarisë për myslimanët e mitur, heqja e kujdestarisë dhe shpallja e myslimanëve të mitur individë madhorë; shpallja e personave myslimanë të vdekur; verifikimi i nënshkrimit të personave myslimanë; lëndët për themelatat bamirëse islame dhe të gjitha mosmarrëveshjet që kishin të bënin me të drejtat e obligimet që themeloheshin në cilësi vakëfnore të një pasurie, nëse kjo cilësi nuk ishte kontestuese, si dhe mosmarrëveshjet se a ishte themeluar vakëfi me vullnetin e fundit të shprehur apo me punën juridike në mes të të gjallëve.[23]
Në tërë Jugosllavinë e atëhershme më 1933 u formuan dy gjykata Supreme të Sheriatit (në Sarajevë dhe në Shkup) dhe 82 gjykata të Sheriatit të rretheve. Në kuadër të Gjykatës Supreme të Shkupit bënin pjesë 39 gjykata të Sheriatit të rretheve, 9 prej të cilave ishin në Kosovë:
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Prizren, me gjyqtar Mustafa Mujezinoviç, i dekretuar më 1930;[24]
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Prishtinë, Ismail Abdurrahmani, Salim Serdareviç, të dekretuar më 16.05.1931;
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Gjakovë, Abdullah Veliçi, 12.05. 1932;[25]
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Gjilan, Nexhip Fazllagiç, 16.05.1931;[26]
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Kaçanik, Mustafë Çunaku, 16.05.1931;
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Mitrovicë, Ahmet Selimi, 15.05. 1931;
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Pejë, Sylejman Haznadareviç[27], Nexhip Basha, Vejsel Kadiç[28], 16.05.1931;
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Podujevë, Jahja Halimi-Fusha, 25.04.1933;
- Gjykata e Sheriatit e rrethit Ferizaj, Hajdar Lutfiu, 14.05.1931.[29]
Këto gjykata të rretheveishin në vartësi të Gjykatës Supreme të Shkupit, e cila nga prilli 1930 udhëhiqej nga i sipërpërmenduri Mehmed Zeki ef. Çinari, ish-myfti i Myftinisë Supreme të Beogradit, Mehmedali Mahmutoviç, ish-gjyqtar i Sheriatit nga Novi-Pazari dhe Dervish Sheqerkadiç, ish-myfti i rrethit të Plevles.
Rregullimii gjykatave të Sheriatit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur sepse, me gjithë nevojën e madhe, në disa qytete deri më 1934 nuk ishin themeluar gjykata të tilla. Edhe ato gjykata që ekzistonin nuk ishin formuar si duhet dhe kishin mungesë të kuadrit.[30]Shumica e gjyqtarëve, sikurse shihet, ishin boshnjakë, të cilët kishin mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë. Nga 9 gjykata sa kishte Kosova atëherë, në 6 prej tyre qenë emëruar gjyqtarë boshnjakë. Mirëpo, meqë kishte mungesë kuadrosh edhe në Bosnjë, qe marrë vendimi që në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi për gjyqtarë të rretheve të emëroheshin ish-myftinjtë dhe personat e tjerë që kishin diploma mbi kryerjen e shkencave islame, të cilët në afat prej tre vjetësh duhej ta jepnin provimin për gjyqtar të Sheriatit. Nga ky provim ishin të liruar vetëm ata myftinj që kishin më shumë se 10 vjet përvojë efektive.[31] Duhet përmendur se për emërimin e këtyre rol vendimtar luante orientimi politik i kandidatit.[32] Sepse, sikurse u tha më lart, për shkak të lidhjeve ndërmjet shtetit dhe Bashkësisë Fetare Islame në atë kohë, kryerja e funksioneve sheriato-juridike dhe jurisprudenciale, si dhe e shërbimeve fetare dhe fetare-shkollore, rregullohej me dispozita shtetërore e jo me aktet autonome të BFI-së, prandaj roli i shtetit nuk kufizohej në funksionin mbikëqyrës, por edhe në çështjet e brendshme të vet BFI-së. Kësodore bëhej e mundshme që shteti të intervenonte jo vetëm në gjykatat e Sheriatit, si pjesë e gjyqësisë shteteërore, por edhe në çështje të brendshme të BFI-së.[33]
Përfundim
Nga sa u tha më lart mund të përfundojmë se myftinitë dhe gjykatat e Sheriatit në Kosovë midis dy luftërave botërore kanë rregulluar në një masë të madhe të drejtat familjare, trashëgimore e vakëfnore të popullatës së Kosovës, sidomos kur kihet parasysh se myslimanët përbënin shumicën e popullatës së gjithëmbarshme të Kosovës.
Njohja e veprimtarisë e këtyre institucioneve juridike mund të bëhet vetëm pas hulumtimit dhe studimit në mënyrë objektive e të paanshme të dokumenteve dhe të rrethanave të asaj kohe, qoftë nga teologët/juristë të Sheriatit, qoftë nga juristë të tjerë. Një punë e tillë do të qe me interes jo vetëm për historinë e së drejtës të Sheriatit te ne në veçanti, po edhe për historinë e së drejtës në përgjithësi në Kosovë.
Një ndërmarrje e tillë me interes sigurisht që nuk do të mund të arrihej pa hulumtuar dhe studiuar në radhë të parë:
- 18 libra dhe 18 kuti me dokumente arkivore të Myftinisë së Qarkut të Prizrenit të viteve 1918-1930 (Fondi nr. 89);
- 3 libra dhe 2 kuti arkivore të Myftinisë së Rrethit të Gorës, të viteve 1919-1929 (Fondi nr. 91);
- 3 libra dhe 9 kuti arkivore të Myftinisë së rrethit të Rahovecit, të viteve 1919-1941 (Fondi nr. 90).
Dhe sidomos e pashmangshëm duhet hulumtuar:
- 67 kuti arkivore me dokumente nga Gjyqi i Sheriatit të rrethit të Prizrenit, të viteve 1929-1941 (Fondi nr. 9);
- 7 kuti me dokumente arkivore të Gjyqit të rrethit të Sheriatit të Prishtinës, të viteve 1932-1940 (Fondi nr. 258);
- 4 kuti me dokumente arkivore të Gjyqit të Sheriatit të rrethit të Podujevës, të viteve 1925-1940 (Fondi nr. 259).
Me rëndësi për të njohur këtë lëmë janë edhe fondet:
- Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, vitet 1919-1958, që ka 69 kuti me dokumente arkivore;
- Zyra e Vakëfit – Prishtinë, vitet 1931-1948, 17 kuti me dokumente arkivore,
- Drejtoria e Vakëfeve – Prishtinë, vitet 1926-1929, 8 kuti arkivore,
- Drejtoria e Vakëf Mearifit Prizren, vitet1924-1948, 10 kuti arkivore dhe fondet e Imamatëve të Xhematit, të cilat ruhen në AShAK dhe të cilat kanë të bëjnë me konteste bashkëkohore, konteste familjare, konteste pronësore, vendime të ndryshme, certifikata për mësimin fetar, leje për kurorëzim, leje për shkurorëzim e për fejesë, konteste rreth trashëgimisë, korrespondenca të myftiut me pushtetin, me myftinitë e tjera, me Ministrinë e Drejtësisë etj., vendime për caktimin e imamëve, regjistra të imamëve, regjistrime të numrit të banorëve, certifikata, fetva etj., dhe janë me interes për të njohur këtë çështje.
(Marrë nga revista “Arkivat shqiptare”)
Burimet dhe literatura
- Burimet:
Arkivi i Kosovës
Fondet:
- Myftinia e Qarkut të Prizrenit, vitet 1918-1930
- Myftinia e Rrethit të Gorës, 1919-1929
- Myftinia e Rrethit të Rahovecit, 1919-1941
- Gjyqi i Sheriatit të rrethit të Prizrenit, 1929-1941
- Gjyqi i rrethit të Sheriatit të Prishtinës, 1932-1940
- Gjyqi i Sheriatit të rrethit të Podujevës, 1925-1940
- Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, 1919-1958
- Zyra e Vakëfit – Prishtinë, 1931-1948
- Drejtoria e Vakëfeve – Prishtinë, 1926-1929
- Drejtoria e Vakëf Mearifit Prizren, 1924-1948
- Literatura:
- ***, Izveštaj o radu ulema Medžlisa u Skoplju u 1931. god., Shkup 1931
- Dokle, Nazif. Kukësi – vështrim enciklopedikë, Tiranë, 1999
- Hadžić, Kasim. Stogodišnjica šeriatske sudaćke škole (mektebi nubuvva) u Sarajevu, Glasnik, nr. 5, Sarajevë, 1987
- Handžić, Hadži Mehmed. Pitanje muftija,Glasnik, nr. 23, Sarajevë, 1936
- Hasandedić, Hivzija. Mostarske muftije – prilog kulturnoj prosvjeti Mostara, Glasnik, VIS, SFRJ, nr. 9-10, Sarajevë, 197
- Kasumi, Haki. Bashkësia Fetare Islame në Kosovë më 1918 – 1929, Vjetari i Arkivit të Kosovës, nr. XII-XIII, Prishtinë, 1981
- Kasumi, Haki. Gjendja ogranizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin jugosllav (1912-1941), në: përmbledhjen e punimeve të Simpoziumit ndërkombëtar, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarë, Prishtinë, 1995
- Kračić, Fikret. Istorija Šeriatskog prava, Sarajevë, 1987
- Mata, Qemajl. Mulla Rasim Zapodi, Kukës, 2000)
- Nakičević, Omer, Istorijski razvoj institucije Rijaseta , Sarajevë, 1996
- Rexhepi, Resul; Mehmeti, Sadik. Haxhi Rrystem Shporta – jeta dhe vepra (1865-1937), Prishtinë, 2010
[1] Haki Kasumi, Bashkësia Fetare Islame në Kosovë më 1918-1929, Vjetari i Arkivit të Kosovës, nr. XII-XIII, Prishtinë, 1981, f. 257
[2] Menduh Bamja, Pozita kushtetuese-juridike dhe faktike e bashkësive fetare në ish-Jugosllavi (me vështrim të posaçëm të Bashkësisë Islame), Prizren, 2009, f. 128
[3] Po aty f. 128
[4] Fikret Karčić, Šerijatskih sudovi…, po aty, f. 34. Të përcaktuara me konventat ndërkombëtare, gjykatat e Sheriatit dhe e drejta e Sheriatit kanë funksionuar edhe në vendet e tjera, si në Shqipëri, dhe në vendet ku kanë jetuar pakicat myslimane, si: Qipro, Bullgari, Maqedoni, Greqi, Rumani etj.
[5] Menduh Bamja, Pozita kushtetuese-juridike…, po aty, f. 261
[6] Po aty f. 261
[7] Haki Kasumi, punimi i cit., f. 255
[8] Sheh Mehmed ef. Sezai, dijetar i shquar, atdhetar e patriot i njohur nga Prishtina, anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, një ndër prijësit dhe organizatorët e Organizatës “Xhemijeti”, lindi më 1874, vdiq më 1947. Ishte myfti i Prishtinës dhe myderriz në medresenë “Pirinazir” të Prishtinës
[9] Myfti i Prizrenit, myderriz i medresesë “Mehmet Pasha” të Prizrenit, veprimtar i çështjes kombëtare, mik dhe jatak i Hasan Prishtinës, i dënuar me njëzet vjet burg në vitin 1924, 11 prej të cilave i vuajti në burgun e Prizrenit, të Shkupit, të Nishit dhe të Zenicës. Vdiq në vitin 1937. Është autor i tetë veprave në gjuhën arabe të shkruara gjatë kohës sa ka qenë në burg. Me gjerësisht për Rrustem ef. Shportën, shih Resul Rexhepi dhe Sadik Mehmeti, Haxhi Rrustem Shporta – jeta dhe vepra (1865-1937), Prishtinë, 2010
[10] Lindi më 1875 në Gjakovë. Studioi për shkencat e Sheriatit në Damask, Egjipt e Stamboll. Ishte kadi dhe deri më 1929 myfti i Gjakovës. Punoi imam në xhaminë e Mahmud Pashës dhe nga viti 1933 në xhaminë e Sefës në Gjakovë. Vdiq dhe u varros në Gjakovë më 1935
[11] Lindi më 1867 në Zapod të rrethit të Kukësit. Shkollën fillore dhe medresenë i mbaroi në Prizren, kurse studimet e larta në Kavallë të Greqisë në vitet 1886-1890. Pas mbarimit të studimeve kthehet në vendlindje dhe punon imam dhe mësues në fshatin Lojme, ku hapi shkollën e parë në këtë fshat. Më 1916 zgjedhet kryemyfti i rrethit të Gorës (ku bënin pjesë 19 fshatra të Opojës, 17 të Gorës dhe 17 fshatra që sot i takojnë rrethit të Kukësit), detyrë të cilën do ta kryejë deri në fund të jetës më 1924. Nga viti 1923 ishte edhe kryetar i komunës së Shishtavecit (Kukës – Shqipëri). Vdiq në maj të vitit 1924. (Shih: Nazif Dokle, Kukësi – vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999, f. 175; dhe Qemajl Mata, Mulla Rasim Zapodi, Kukës, 2000)
[12] Shih: Haki Kasumi, punimi i cit., f. 255
[13] Institucioni i myftinisë në shtetin islam daton që nga fillimi i paraqitjes së fesë islame. Myfti i parë konsiderohet profeti Muhamed, kurse fetvatë e tij paraqesin traditë obliguese për të gjithë myslimanët e të gjitha kohëve. (Më gjerësisht, shih: Hadži Mehmed Handžić, Pitanje muftija, Glasnik, nr. 23, Sarajevë, 1936, f. 47)
[14] Myftinjtë në Perandorinë Osmane, rrjedhimisht edhe te ne, i emëronte shejhul-islami në Stamboll dhe ai kishte ingerenca të plota mbi punën e myftinjve në tërë krahinat e Perandorisë Osmane. Ky institucion te ne ka pasur vazhdimësi të përhershme deri më 1936, kur bëhet suprimimi i plotë i këtij institucioni. Në Kosovë midis viteve 1941-1945 përsëri rikonstituohet institucioni i myftinisë. Në këtë kohë ekzistonin disa nënmyftini që vepronin në kuadër të dy kryemyftinive: asaj të Prizrenit dhe të Prishtinës, që ishin në vartësi të Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman me qendër në Tiranë
[15] Hivzija Hasandedić, Mostarske muftije – prilog kulturnoj prosvjeti Mostara, Glasnik, VIS, SFRJ, nr. 9-10, Sarajevë, 1975, f. 432-433
[16] Për shembull në Gjykatën e Sheriatit të rrethit të Gorës si zëvendës i myftiut më 1919-1921 qe emëruar serbi i njohur për antishqiptarizëm dhe antiislamizëm, Mihajllo Gjorgjeviç. Arkivi i Kosovës, Myftinija e rrethit të Gorës, 1921
[17] Më gjerësisht, shih: Omer Nakičević, Istorijski razvoj institucije Rijaseta, Sarajevë, 1996, f. 21-40
[18] Me rregulloren e posaçme të dt. 28.02.1936 u shfuqizua Ligji dhe Kushtetuta e Bashkësisë Fetare Islame në Mbretërinë e Jugosllavisë, kurse më 24.10.1936 u proklamua Kushtetuta e re e BFI-së
[19] Fikret Karčić, Šerijatski sudovi…, vep. e cit., 79
[20] Shih revistën Glasnik, VIS, nr. 3-1934, Sarajevë, f. 175
[21] Fikret Karčić, Šerijatski sudovi…, vep. e cit. f. 90
[22] Menduh Bamja, po aty, f. 264
[23] Fikret Karčić, po aty
[24] Mustafa Mujezinoviç ka qenë boshnjak nga Ljubushki i Bosnjës, i cili më 1898 kishte mbaruar shkollën për Gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë (Shih: Kasim Hadžić, Stogodišnjica šeriatske sudaćke škole (mektebi nubuvva) u Sarajevu, Glasnik, nr. 5, Sarajevë, 1987, f. 658). Në Prizren shërbeu si gjyqtar i Sheriatit dhe kryetar i Komisionit të Vakëf Mearifit të rrethit të Prizrenit në vitet 1930-1931. Në vend të tij më 1931 u emërua Mehmed Udoviçiç, edhe ky boshnjak nga Mostari, i cili më 1926 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë. (Më gjerësisht për këtë shih: Kasim Hadžić, po aty, f. 659; dhe Glasnik, nr. 4-6, Sarajevë, 1960, f. 197-198). Në Prizren kishte shërbyer deri më 1939, ku në vend të tij u emërua shqiptari dhe biri i ish-myftiut të njohur të Prizrenit, haxhi Rrustem Shportës, Sadik haxhi Rrustemi, kurse udhëheqës i shërbimit Reshad Nuridini. (Arkivi i Kosovës, fondi Sresko Vakufsko Mearifsko Poverenstvo – Prizren, k. 15, 1939)
[25] Abdullah Veliç, boshnjak nga Sarajeva, i cili më 1919 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë (Kasim Hadžić, po aty, f. 657). Në detyrën e gjyqtarit të Sheriatit dhe të kryetarit të Komisionit të Vakëf Mearifit të rrethit të Gjakovës kishte zëvendësuar Abdullah Shkaliçin, jurist i njohur nga Rogotica e Bosnjës, i cili më 1925 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë (K. Hadžić, po aty, f. 658)
[26] Nexhip Fazllagiç nga Çajniça e Bosnjës më 1921 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë (K. Hadžić, po aty, f. 660).
[27] Sylejman Haznadareviç, jurist nga Nevesinja e Bosnjës, më 1917 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë (K. Hadžić, po aty, f. 660)
[28] Vejsel Kadiç ka qenë nga Sarajeva, i cili më 1926 kishte mbaruar shkollën për gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë (K. Hadžić, po aty, f. 657)
[29] Izveštaj o radu ulema Medžlisa u Skoplju u 1931. god., Shkup, 1931, f. 1-3; Haki Kasumi, Bashkësia Fetare Islame në Kosovë (1929-1941), Vjetari i Arkivit të Kosovës, nr. XVI-XVII, Prishtinë, 1983, f. 100
[30] Haki Kasumi, Gjendja organizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin jugosllav (1912-1941), në përmbledhjen e punimeve të Simpoziumit Ndërkombëtar me temë Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarë, Prishtinë, 1995, f. 463
[31] Fikret Karčić, Šerijatski sudovi…, f. 75
[32] Po aty f. 75
[33] Fikret Karčić, Istorija…, f. 170