Fondi i Kursimeve Pensionale: 247.2 milionë euro kthimi bruto për 2024

14 janar 2025 | 16:22

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës njofton se e ka përmbyll vitin 2024 me 243.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

FKP-ja ka njoftuar se duke ia shtuar edhe suficitin e kthyer dhe të ardhurat e tjera (prej 3.5 milionë euro), kthimi bruto për 2024-n shkon në 247.2 milionë euro.

“Në vlerë nominale, kjo është shifër rekord e kthimit nga investimet, porse erdhi edhe për shkak të mjeteve më të larta nën menaxhim. Ky ishte viti i 20-të, nga gjithsej 23 vjet të operimit, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet. Llogaritur në tërësi, kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në fund të vitit 2024, arriti në 997.2 milionë euro, shumë afër shifrës simbolike prej 1 miliard euro”, thuhet në njoftim.

Fondi i Kursimeve bën të ditur se arkëtimi i kontributeve të reja në 2024-shin, në vlerë 315.8 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +29.6 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 10.3%, nga viti paraprak.

“Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat menaxhuese, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të ngritën sivjet me shifrën rekorde prej +480.0 milionë euro e të arrijnë kështu afër 3.2 miliardë eurove”.

Në komunikatën për medie bëhet me dije se prej 31 marsit 2024, FKP-ja ka tre portofola investues: Portofolin Standard – për kontribuuesit  deri në moshën 57 vjeçare; Portofolin e Ndërmjetëm – për kontribuuesit e moshës 58 deri 62 vjeçare dhe Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër.

Këta portofola kanë në përbërje instrumente të ndryshme financiare, varësisht synimit të kthimit nga investimet, riskut dhe luhatshmërisë investuese dhe gjithnjë kundrejt distancës së kontribuuesve nga mosha e pensionimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë prej tyre luajnë në kampionate të elitës. Futbollistët e…