Fondi Monetar: Taksa 100 për qind rriti çmimet e konsumit, sektori privat mund të ul papunësinë
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar i kryesuar nga Stephanie Eble ka qëndruar në Kosovë dhe në fund është lëshuar një deklaratë me konkluzionet e vizitave të tyre.
Deklarata thotë se rritja ekonomike do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme, por nevojitet nxitje më e madhe të sektorit privat dhe eksporteve për ta ulur papunësinë e lartë dhe hendekun e gjerë të të ardhurave me vendet homologe.
Sa i përket taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Eble thotë se ka ndikuar në rritjen e çmimeve të konsumit, posaçërisht të produkteve ushqimore, duke ndikuar kështu tek ekonomitë familjare me të ardhura më të ulëta.
“Sfida kryesore për ekonominë e Kosovës është rritja më e lartë e nxitur nga sektori privat dhe eksporte. Përderisa parashihet që rritja do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme me rreth 4 për qind këtë vit, kjo nuk është e mjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe përshpejtuar konvergjencën e të ardhurave me pjesën tjetër të Evropës.
Gjithashtu, taksa në importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka rritur çmimet e konsumit, posaçërisht të produkteve ushqimore, duke ndikuar kështu tek ekonomitë familjare me të ardhura më të ulëta, si dhe duke dobësuar llogarinë e jashtme rrjedhëse. Ekzekutimi i buxhetit është përgjithësisht në rrugë të duhur, ndërsa niveli më i ulët i mbledhjes së të hyrave dhe tejkalimet e shpenzimeve në skemat e përfitimeve pensionale, përsëri, pritet të kompensohen me shpenzime më të ulëta kapitale”, ka thënë Eble në deklaratën e lëshuar nga FMN.
Në deklaratën e saj flitet edhe për rritjet e larta të pagave si pjesë e reformës së administratës publike, kombinuar me një rritje në punësim, që sipas saj, përbëjnë kosto të larta fiskale të cilat pa masa përmbajtëse rrezikojnë rregullën fiskale dhe minojnë aftësinë konkurruese.
“Përderisa Kosova ka arritur të mbajë stabilitet makrofiskal, një numër nismash të kushtueshme politikash do të mund të pengonin zhvillimin e sektorit privat. Në veçanti, rritjet e larta të pagave si pjesë e reformës së administratës publike, kombinuar me një rritje në punësim, përbëjnë kosto të larta fiskale të cilat, pa masa përmbajtëse, rrezikojnë rregullën fiskale dhe minojnë aftësinë konkurruese.
Ngjashëm, përfitimet sociale në diskutim e sipër, siç janë pensionimi i parakohshëm për policinë ose përfitimet tejet bujare të pushimit prindëror, si dhe rritja e propozuar e pagës minimale që do të shkonte përtej zhvillimit të çmimeve, produktivitetit dhe zhvillimeve të pagave, bartin kosto të konsiderueshme fiskale. Gjithashtu, ato mund të frenojnë zhvillimin e sektorit privat duke paraqitur pengesa në përpjekjet për uljen e papunësisë dhe informalitetit”, thuhet në deklaratë.
Eble thekson se autoritetet duhet të avancojnë me ristrukturimin e ndërmarrjeve publike, për të përmirësuar zbatimin e investimeve cilësore dhe të financuara nga donatorët, për t’i përshpejtuar reformat arsimore, për të forcuar sundimin e ligjit dhe mjedisin e biznesit, si dhe për të avancuar me reformat e vonuara të veteranëve të luftës për të liruar hapësirën në buxhet për shpenzime që nxisin rritje.
Gjithashtu, Elbe thotë se garancitë qeveritare duhet të rishikohen me kujdes në mënyrë që të mos rrezikohet qëndrueshmëria fiskale.