Fondi për Garanci Kreditore dhe SIDA suedeze me marrëveshje prej 14.9 milionë euro
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim e Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), kanë nënshkruar marrëveshjen e garancisë në vlerë prej 14.9 milionë euro.
Aty u tha se kjo marrëveshje është në të mirën e ekonomisë së Kosovës. Sipas tyre, kjo ngjarje vërteton përkushtimin e institucioneve për të nxitur rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë në vend, të plotësuar me mbështetjen e vazhdueshme të SIDA-s.
Kryesuesi i Bordit të FKGK-së, Agan Azemi, ka thënë se bashkëpunimi me SIDA-n ka filluar qysh në vitin 2018 me marrëveshje fillestare me vlerë 10 milionë euro.
Ai ka bërë me dije se marrëveshja e arritur prej 14.9 milionë euro parasheh të lehtësojë qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
“Marrëveshja e garancisë e finalizuar sot në vlerë 14.9 milionë euro, shërben si dëshmi e mëtejshme e angazhimit tonë për të garantuar kredi për NMVM-të”, ka thënë Azemi, duke shtuar se kjo marrëveshje parashikohet të lehtësojë qasjen në financa për NMVM-të duke u mundësuar një kredidhënie deri në 55 milionë euro.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka thënë se FKGK-ja mbetet mekanizëm shumë i rëndësishëm për të mirëmbajtur dhe avancuar edhe më tej objektivin për sistem financiar stabil.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka theksuar se synojnë të krijojnë 2 700 vende të punës me marrëveshjen prej 55 milionë euro.
Të rëndësishme këtë marrëveshje e konsideroi edhe ministrja e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.