Fondi për Garanci Kreditore për tri vjet ka krijuar 3700 vende pune
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka shënuar të enjten trevjetorin e themelimit. Me këtë rast, është nënshkruar edhe marrëveshja me Fondin Evropian për Investime lidhur me Programin COSME.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka thënë se Gjermania fokusin e veçantë në Kosovë e ka vënë në bujqësi dhe në mbështetje të sektorit privat.
Ai ka thënë se këtë vit qeveria gjermane po vazhdon financimin për agrodritaren që u themelua në vitin e kaluar edhe për 6.5 milionë euro shtesë.
“Do të dëshiroja që të shihja më shumë dritë në këto storie të biznesit, sepse FKGK-ja është storie biznesi”, ka thënë Heldt.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se ky fond gjatë këtyre tri viteve ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe krijimin e vendeve të reja të punë. “Fondi ka shërbyer në tejkalimin e shumë sfidave ekonomike. Është me rëndësi që fondi ta rrisë edhe më shumë aktivitetin e tij. Fondi ka arritur të garantojë 100 milionë euro kredi. Studimet tregoj se qasja në financa është pengesë, andaj me anë të këtij fondi bizneseve u është mundësuar qasje me e lehtë”, ka thënë Mehmeti.
Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, ka thënë se kjo ministri është e përkushtuar ta mbështesë FKGK-në për garantimin e kredive.
“Ne si ministri vazhdojmë të jemi të përkushtuar ta mbështesim Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive. Shpresojmë që ky fond do të jetë shpresa e bizneseve të reja që të rinjtë të bëjnë një biznes më të mirë në Kosovë”, u shpreh Gashi.
Ndërsa Lisa Magno, drejtoreshë e USAID-it në Kosovë, ka theksuar se 25 për qind e FKGK-së kanë shkuar për bizneset e vogla siç është prodhimtaria dhe bujqësia.
Ajo ka thënë se FKGK-ja ka ndihmuar në krijimin e 3 700 vendeve të punës.
“Po kremtojmë një bashkëpunim të BE-së dhe FKGK-së. Më shumë se 25 për qind e FKGK-së kanë shkuar për bizneset e vogla siç është prodhimtaria dhe bujqësia. Kjo ka ndihmuar në krijimin e 3 700 vendeve të punës”, ka thënë ajo.
Ndërsa këshilltari i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj, ka thënë se kjo marrëveshje është një lajm i mirëseardhur për bizneset vendore pasi i mundëson atyre një qasje më të lehtë në financa.
“Inicimi i marrëveshjes së Cosme-s ka për qëllim formimin e një mundësie që bizneset tona të ketë edhe një derë të hapur që të jenë të barabartë edhe me tregjet e tjera ndërkombëtare. MTI-ja është nënshkruese e marrëveshjes Cosme dhe kemi një rol të rëndësishëm të këtij programi te akterët relevantë. Kjo marrëveshje është një lajm i mirëseardhur për bizneset tona për faktin se mundëson një qasje më të lehtë në financa. Kjo marrëveshje do t’i mundësojë bizneseve që t’ua bëjnë më të lehtë marrjen e kredive”, është shprehur Limaj.