Fondi për Zhvillim Saudit financon pesë kilometra të rrugës Prishtinë – Mitrovicë
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është takuar të martën me përfaqësuesit e Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite, në krye me Abdullah Al-Shoaibi, menaxher rajonal.
Gjatë këtij takimi u bisedua për projektin, i cili financohet nga ky fond për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë. “Ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme dhe më vjen keq për stërzgjatjen e realizimit të këtij projekti, por ne ju premtojmë që pas përzgjedhjes së kompanisë që do të realizojë këtë projekt, nuk do të ketë më pengesa dhe ju premtojmë se do të kemi partneritet të ngushtë bashkëpunimi në mes nesh”, ka thënë Lekaj. Ndërsa Al-Shoaibi ka thënë se kërkesa e Kosovës për t’u financuar edhe pesë kilometra të rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë është aprovuar. “Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer që deri tash ka pasur ministria juaj me ne lidhur me këtë projekt. Shpresojmë se edhe më tutje të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë bashkëpunim edhe me shumë projekte të tjera të përbashkëta”, është shprehur Al-Shoaibi.