Fondi Sovran ka paraparë 44 asete me vlerë për t’i marrë nga AKP, ndër to edhe Hotel Grandin
Koncept-dokumenti për Fondin Sovran ka paraparë 44 asete me vlerë më të shtuar që mund të transferohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Një nga to është ish-pushimorja 10 hektarëshe për fëmijë në Deçan, ani pse kjo pronë është tash e sa kohë mollë sherri mes shtetit dhe manastirit të Deçanit.
Fondi do të udhëheqë edhe me një hapësirë tjetër gjigante. Bëhet fjalë për pistën e skijimit në Brezovicë, bashkë me dy hotele të moçme, Lahor e Junior, njofton Klan Kosova.
Mbi tre mijë metra katror tokë dhe 24 objekte në rrethinë të Prishtinës pritet të transferohen edhe nga Ndërmarrja Shoqërore “Gërmia”, bashkë me Hotel Grandin 8900 metra katror në qendër të kryeqytetit.
Nga AKP-ja është vlerësuar të merren edhe 12 objektet e Jugobankës, me qendër në Mitrovicë, ku tash funksionon një departament i Gjykatës Themelore.
Hise e Fondit Sovran mund të jetë edhe ish-fabrika e Ballkanit në Suharekë dhe të Farmakosit në Prizren. Gjithashtu, përfshihen edhe tetë asete me vlerë në komunat veriore.
Veç këtyre aseteve që mund t’i funksionalizojë, kur të krijohet Fondi, do t’i menaxhojë edhe ndërmarrjet që punojnë aktualisht, si Trepça e KEK-u, dhe rreth 1500 toka bujqësore gjithandej vendit.
Deri tash, AKP i ka bërë gati 1654 asete për transfer. Ndërsa vlera totale e hiseve të Fondit pritet të jetë 500 milionë euro.