Forca e dashurisë
Ilir Muharremi
Ata u dashuruan. Ata çdo ditë dehen nga kjo dashuri e pafund, nga ky opium me aromë parfumi nostalgjie. Janë shpesh të trallisur sikur kur ndodhesh mbi tallazet e detit e që nën këmbë ndjen rrëshqitjen e ujit apo lëkundjen e anijes. Dashuria e tyre merr frymë, por edhe toka në të njëjtën kohë. Ata ushqehen nga dashuria e tyre premtuese e cila nga dielli i brendshëm ushqehet. Ata jetojnë në një rreth gjeometrik pushtues, janë dytë të pushtuar nga vetëm dy shpirtra. Kur puthen në buzë ndjejnë ajrin e pastër sikur të ishte një pije freskuese, buzët e tyre kur bashkohen shtrydhen sikur frutat e shëndetshëm, e që ndjenë aromën e atyre frutave të ishujve të largët.
Dashuria e tyre është magji ledhatuese që lëkura bëhet sikur kokrrat e orizit. Ata jetojnë të vdekur për njëri- tjetrin, ata janë zverdhur për veten, por tani jetojnë mbi detin e mëndafshtë, të shtrirë mbi këtë hapësirë, qielli dukej si perde e zezë që mbulonte atë sipërfaqe të shndritshme nga yjet xixëlluese që ngjanin me disa të çara e të plasura e që derdhej ai shkëlqim i pa përshkruar. Xixëllima e tyre krijonte lëvizje dukej si ndonjë acar në antartik. Dy të dashuruar ngroheshin nga zjarri poshtë këmbëve e drejt zemrës. Uh! Ky qiell mbi të cilin lëshohet hëna bashkë me yjet që kanë emra, të dashuruarit kompozojnë orkestrën në këtë thellësi të fshehtë.
Nën rrezet e hënës vezullonin faqet e saja të bardha dhe hija përfund syve zbukuronte më shumë sytë e saj të vegjël të tërhequr. Shikimet e tyre qenë përhumbëse me pauza ledhatuese. Kur shikoheshin, toka dhe koha ndalonte, sepse ringjallej një kohë e re, kohë e tyre, kohë e ëmbël si mjaltë, e shijshme me shije limoni. Flokët e saj të dendura e të zëna gërshetë që lëshoheshin anash fytyrës , zvogëlonin kokën, krijonin simetrinë e bukur. Bukuria e saj pushtonte sytë dhe zemrën e tij i cili nuk dridhej nga kjo sunduese ndjenjash.
Dashuria e tyre që tre vite, dëshiron të kurorëzohet me bashkim të përjetshëm, vampirët, keqbërësit, djallëzuesit nuk lejuan. Bukuroshja u sëmurë, e vetmja shpresë e tij, dielli dhe diamanti nuk e humben shkëlqimin por e fuqizuan, dashuritë e ndaluara janë të përjetshme dhe të forta. Dashuritë e besueshme janë kur jemi të rijnë, lotët e vërteta kanë përmbajtje aty. Zemra ende digjet aty, kurrë nuk kalon dhimbja e dashurisë së rinisë. Depresioni i saj u shkëmbye me trupin dhe shpirtin e tij. Vuajtja në rini ishte më e gjatë dhe kishte më shumë titull dhe kuptim. Lotët u bënë detëra dhe oqeane, por ata dy lundronin me barkën e tyre plot vrima, dhe uji depërtonte ngadalë fundoste qenien, por jo fantazmën e tyre e cila qëndronte ombrellë mbi çdo fatkeqësi që ju kanosej…